Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar liderët e partive politike në një takim për të diskutuar rreth situatës së krijuar pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Takimi, sipas njoftimit nga Presidenca, është propozuar të mbahet të enjten, më 15 maj, në orën 13:00.
Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se ka pranuar ftesën e presidentes.
Nga kjo parti është bërë e ditur se kryetari Memli Krasniqi do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës dhe do të marrë pjesë në takim.
Pjesëmarrjen në këtë takim e ka konfirmuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.
Ditë më parë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, propozoi që për kryeparlamentarin të votohet përmes votës së fshehtë. Por as për këtë proces, në seancat e kaluara nuk u siguruan votat e nevojshme dhe procesi ka ngecur.
Më 11 maj, pas dështimit të fundit për konstituimin e Kuvendit, Donika Gërvalla, deputete e Vetëvendosjes dhe ministre e Jashtme në detyrë, nuk tregoi qartë nëse do t’i përgjigjeshin ftesës së presidentes.
Gërvalla deklaroi se “duhet ta marrim ftesën dhe të shohim se çfarë përmban ajo dhe për çfarë na thërret ajo”.
Ndërkohë më 12 maj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
Time Kadrijaj nga ky subjekt politik tha se kanë dërguar në “Gjykatë Kushtetuese për interpretim ndryshimin e votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”.
Kërkesa është mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Derisa Vetëvendosje si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit insiston se votimi i fshehtë është ligjor dhe kushtetues, partitë e tjera përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në kanë kundërshtuar një gjë të tillë.
Takimi pritet të shërbejë si përpjekje për tejkalimin e krizës institucionale të krijuar pas dështimit të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.