Uniforma dhe këpucë për policinë, hapet tenderi 27 milionë euro

Blerja e uniformave dhe këpucëve për Policinë e Shtetit, pritet të kushtojë të paktën 27 milionë euro.

Këtë të hënë, Operatori i Blerjeve të Përqendruar, njoftoi çeljen e procedurës respektive ku fondi limit është në total 2.7 miliardë lekë, nga ku peshën më të madhe prej 1.9 miliardë e zënë uniformat kurse pjesën tjetër këpucët.

Referuar dokumenteve të bëra publike, specifikohet edhe sasia e nevojshme për secilin prej artikujve si dhe afatet e lëvrimit.

“Prodhimi duhet të organizohet në mënyrë të tillë që furnizimi me uniforma i punonjësve të policisë të bëhet sipas sezoneve të verës apo dimrit, në mënyrë që të mbulohen nevojat në kohë. Lëvrimi i artikujve të uniformave verore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Maj të çdo viti dhe lëvrimi i uniformave dimërore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Tetor të çdo viti.

Afati kohor për ekzekutimin e kontratës së parë që do të nënshkruhet brenda Marrëveshjes Kuadër, do të jetë jo më pak se 60 ditë dhe jo me shume së 150 ditë nga lidhja e kontratës. Për çdo rast sasitë e kërkuara në kantatën e parë nuk do të jenë më tepër se 50 % e sasive të pritshme të vitit të pare”, thuhet në dokumentet që shoqërojnë procedurën.

Lidhur me garancitë autoriteti kontraktor nënvizon se lëvrimi i mallit, duhet të shoqërohet me deklaratën përkatëse.

Operatori ekonomik duhet të deklarojë zyrtarisht që afati i garancisë për artikujt që do të furnizojë, do të jetë 1 vit për artikujt që e kanë afatin e përdorimit 1 vit dhe të paktën 2 vjet për artikujt që kanë afatin e përdorimit mbi 2 vjet./ Monitor.al