Zv. Presidentja e Pastrisë së Lirisë, Erisa Xhixho shkruan se qeveria e Edi Ramës e mbyll mandatin e tretë me shumë premtime të pambajtura dhe një sistem arsimor të rrënuar.
Xhixho: Të nderuar qytetarë, Qeveria e Edi Ramës e mbyll mandatin e tretë me shumë premtime të pambajtura dhe një sistem arsimor të rrënuar. Më lejoni të ndalem në disa prej tyre:
Buxheti – Në vitin 2013, kur mori pushtetin, Edi Rama premtoi buxhetimin e arsimit në masën 5% e PBB. Ky është mashtrimi më i madh që mund t’u bëhej prindërve, mësuesve, pedagogëve dhe të rinjve shqiptarë. Dymbëdhjetë vjet më pas, buxheti është në nivelin 2.4%, më i ulëti në rajon. Renditemi të fundit pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Arsimi profesional – Në vitin 2017, qeveria premtoi shkolla profesionale në çdo bashki. Mashtrim! Nga 61 bashki që ka vendi, sot shkolla profesionale kanë vetëm 19 prej tyre.
Shkolla qendër komunitare – Në vitin 2015, Edi Rama prezantoi projektin “Shkolla qendër komunitare”. Tjetër mashtrim. Nuk ia dolën kurrë të bëjnë të funksionojë trekëndëshin shkollë-familje-komunitet dhe rastet e rënda të ndodhura në shkollat e vendit vitet e fundit e provojnë se ky projekt ka dështuar.
Kampusi universitar i Tiranës – Në vitin 2019, Edi Rama premtoi përfundimin e kampusit universitar brenda mandatit të dytë të Lalit. Mashtrim tjetër. Vijojmë të jemi i vetmi vend ende pa kampus universitar.
Mësimi me turne – Prej vitit 2017 është premtuar se do t’i jepet fund mësimit me turne. Mashtrim! Ende sot pas 8 vitesh, shkollat e Tiranës janë të mbingarkuara dhe mësimi zhvillohet me turne.
Arsimi është rrënuar sepse qeveria nuk e ka pasur kurrë prioritet. Qindra shkolla të mbyllura e mijëra të rinj që kanë emigruar në kërkim të shpresës janë prova më e qartë e këtij rrënimi.
Programi ynë për nxitjen e arsimit, i integruar në programin qeverisës të Aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i japë zgjidhje kësaj situate.
Ne sot jemi një hap përpara. Sepse kemi zgjidhjen, por kemi edhe besimin e shqiptarëve. Ne do ta ringremë arsimin në Shqipëri:
Duke dyfishuar buxhetin e arsimit në 5%, sa mesatarja europiane, duke dyfishuar pagat e mësuesve, për t’i çuar në 1500 euro. Duke financuar inovacionin mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Duke dhënë kuponin 250 euro për çdo fëmijë në lagjet ku mungon shkolla derisa qeveria të hapë aty shkollën e re. Qytetarët paguajnë taksa dhe shërbimin duhet ta marrin ose të kompensohen në mënyrë që ta përdorin në arsim privat.
Mësuesia dhe shkenca do të konsiderohen degë prioritare dhe do të mbështeten financiarisht.
Investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit.
Arsimi Profesional do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit.
Kurrikulat do t’i nënshtrohen një reformimi të thellë nga ekspertë të pavarur, larg çdo ndikimi politik, për të formuar të rinj me mendim kritik.
Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit europian.
Mbështetje e fortë e arsimit profesional dhe ekselencave në bizneset start-up.
Për t’u rikthyer dinjitetin mësuesve dhe për të motivuar të rinjtë të ndjekin degët e mësuesisë, duhet vepruar sot urgjentisht!
Vota më 11 maj është votë për të ndëshkuar ata që nuk mbajtën premtimet dhe mbështetje për programin tonë për të ringritur arsimin, për të ulur taksat, për të rritur mirëqenien dhe për ta shndërruar Shqipërinë në vend prodhues dhe fuqi eksportuese.