Bedri Hamza: Nuk ka koalicion me LVV, do të krijojmë qeverinë e votuar nga qytetarët

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, deklaroi se shumica shqiptare i ka kthyer shpinën Lëvizjes Vetëvendosje dhe se opozita ka marrë besimin për të formuar qeverinë e re.

Në konferencën e parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Hamza tha se PDK nuk do të bashkëpunojë me LVV-në, duke e akuzuar atë për kërkimin e “pushtetit absolut” dhe për mungesë të programit politik.

“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, kemi dallime të mëdha. Ne e kemi detyrim e përgjegjësi që t’i japim qytetarëve qeverinë që ata e duan e që e kanë merituar. Si partia e dytë më e madhe ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm në kohën e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës së votuesve”.

Ai theksoi se zgjedhjet e fundit kanë treguar qartë vullnetin për ndryshim dhe se partia e tij do të punojë për të krijuar një qeveri që reflekton këtë vullnet.

“Ne do t’i japim qytetarëve qeverinë që ata e kanë votuar. Nuk do të ketë koalicion me LVV-në”, tha ai, duke shtuar se partia e parë ka të drejtën e tentimit për krijimin e qeverisë, por nëse dështon, opozita është e gatshme të marrë përgjegjësinë.

Ai tha se do të presin që partia fituese të provojë formimin e qeverisë, e nëse ata dështojnë tha se opozita mund ta marrë drejtimin e qeverisë së re.

“Rezultati zgjedhor është që shumica e qytetarëve shqiptar duan qeveri të re, procedurat janë të qarta. Partisë së parë i takon të provojë t’i krijojë institucionet, për çka ne këtë procedurë e respektojmë. Nëse nuk mundet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund ta marr qeverinë e re”, tha Hamza.


Shtuar 10.02.2025 16:59

Tags: ,