Tristan Çela, është fituesi i sezonit të parë Albania’s Got Talent. Është mbyllur me një finale fantastike edicioni i parë i Albania-s Got Talent, që për 12 net mbajti gjithë shqiptarinë të mbërthyer para ekranit të televizionit Kombëtar Vizion Plus.
Një garë e fortë mes 11 konkurentëve, ku të gjithë pa përjashtim ishin fantastikë.
Nuk munguan komplimentet e pafund të yjeve të jurisë Agron Llakaj, Adelina Ismajli, Ledina Çelo dhe Kastro Zizo. Ishte një natë magjike dhe plot emocion nën moderimin e Isli Islamit.
Por në fund, publiku shqiptar votoi si më të mirin e edicionit të parë të Albania’s Got Talent Tristan Çela.
Një spektakël i vërtetë, ku shfaqja me flluska sapuni nga italiani Stefano Maurielo, akrobatet e “The Madness Leader”, grupi “The Beat Killers” apo Leandra Plaku me lëvizjet e saj si një profesioniste e vërtetë, zërat magjik të Tristan Çelës, Dejzi Zylajt dhe Klejvi Kapetës dhe Cory Cramer, pianisti i vogël Ermes Balili, artistja Arjeta Dhima me kukullat e saj, si dhe performanca në rërë e Fatmir Murrës mbajtën të gozhduar familjet shqiptare mbrëmjen e djeshme para ekranit të Televizionit Kombëtar Vizion Plus.
Një spektakël që nuk mbaron këtu, ftohen të gjithë ata që mendojnë se kanë talent të nxitojnë e të regjistrohen në audicionet, për t`u bërë pjesë në sezonin e ardhshëm të Albania’s Got Talent, bëhuni dhe ju pjesë e spektaklit.