Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë të burgosurit e luftës

Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer nga 25 robër lufte me njëri-tjetrin.

Sipas mediave të huaja, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, 25 të burgosur rusë u dërguan në Bjellorusi, ku do të vlerësohen nga ana mjekësore dhe më pas do të kthehen në Moskë.

Nuk është e qartë se ku janë të burgosurit ukrainas, pasi ende nuk ka pasur një konfirmim nga Kievi, shkruan A2 CNN.

Kujtojmë se Moska dhe Kievi kanë kryer shkëmbim të të burgosurve apo siç quhen ndryshe të robëve të luftës, edhe më herët.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, ka pretenduar se do të gjejë një zgjidhje që do i japë fund luftimeve në Ukrainë, menjëherë sapo të vijë në pushtet.

Mijëra persona, civilë e ushtarakë, kanë humbur jetën në luftën në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi agresionin e paprovokuar ndaj fqinjit të saj perëndimor.


Shtuar 15.01.2025 16:34

Tags: ,