Vrasja e 28-vjeçarit Klaudio Prendi në Tiranë/ Zbulohen detaje nga hetimet, shoqërohen disa persona

Kanë kaluar afërsisht dy muaj nga vrasja e 28-vjeçarit Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi. Policia ka shoqëruar ditët e fundit të tjerë persona për t’i marrë në pyetje.

Burime nga grupi hetimor, pohojnë disa prej tyre janë të dyshuar të përfshirë në ngjarje, si autorë ose si porositësi të krimit.

Pista kryesore vijon të jetë ajo e konflikteve për çështje borxhi. Personat për të cilët policia dyshon se janë autorë, brenda një viti kanë pasur dy sherre me Prendin.

Konfliktin e fundit e kanë pasur një muaj para ngjarjes, ku janë zënë me grushte e sende të forta.

Ndërkohë, policia është ende në pritje të përgjigjes nga autoritetet greke pas letërporosisë që u kanë dërguar, pasi targa e mjetit të përdorur në vrasje ishte e vjedhur në Greqi.

Klaudio Prendi, u vra me armë me silenciator menjëherë sapo doli nga një lokal në zonën e Xhamllikut dhe hipi në makinën e tij.


Shtuar 9.01.2025 14:29