Deputeti Pandeli Majko, ka dërguar një shkresë në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), në lidhje me akuzat që janë bërë nga Sali Berisha.
Majko kërkon një konfirmim zyrtar nga SHISH për pretendimet e Berishës, i cili ka deklaruar se Majko është përgjuar në kuadër të pazareve elektorale.
Letra e Majkos, është dërguar zyrtarisht nga Kuvendi dhe është përcjellë me shkresë përcjellëse për në SHISH.
Majko kërkon sqarime dhe një përgjigje zyrtare, për akuzat që kanë ngritur dyshime mbi veprimet e tij në politikë.
Në shkresën drejtuar SHISH, Majko kërkon informacion nga ky institucion nëse është vënë në përgjim nga ky organ apo jo.
Më tej, kërkon çdo informacion që ka të bëjë me emrin e tij.
Ndërkohë që bashkangjitur i ka dorëzuar SHISH edhe deklaratën e 6 janarit të Berishës.
Në konferencën për shtyp më datë 6 janar, Berisha akuzoi deputetin socialist Pandeli Majko si kriminel elektoral.
Ai aludoi edhe për një përgjim të SHISH ndaj Majkos në Kukës, ku flitej për pazare elektorale.
Këto deklarata erdhën pasi Majko kaloi nga drejtues politik qarku i PS-së në Kukës, në një nga zonat e Tiranës.
Më pas, Majko reagoi duke thënë se Berisha servir vetëm gënjeshtra ndaj publikut, ndërsa një ditë më pas u takua me kryeparlamentaren Spiropali, teksa i kërkoi Kuvendit të sqarojë pretendimet e Berishës si i përgjuar nga SHISH.