Hetimi i SPAK ndaj Veliajt, Rama: Të gjithë janë të hetueshëm!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me hetimet që përfshijnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rama theksoi se nuk komenton raste individuale pa një vendim përfundimtar gjykate, duke nënvizuar se “fakti se dikush është i hetueshëm, nuk e bën automatikisht të fajshëm.”

“Gjyqet nuk bëhen në media, por në proceset ligjore dhe kushtetuese,” u shpreh Rama, duke lënë të kuptohet se mbështet parimin e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Pyetja për shqetësimin, lidhet pikërisht me këtë, jo me faktin që ju habiteni nga kjo gjë, por a mund t’ju pyes për rastin e zotit Veliaj i përfshirë së fundmi në hetime? A e cenon kjo imazhin e Partisë suaj?

Kryeministri Rama: Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, sikurse ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese.

Kujtojmë se Erion Veliaj është marrë në pyetje nga SPAK për më shumë se 5 orë, në kuadër të një hetimi që përfshin katër akuza të rënda:

Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë,

Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë,

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale,

Mosdeklarimi ose fshehja e pasurive dhe interesave private nga personat e detyruar ligjërisht për deklarim.


Shtuar 28.12.2024 19:15

Tags: ,