Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka dalë ditën e sotme nga spitali. Gjekmarkaj u shtrua mbrëmjen e djeshme për trajtim më të specializuar në spitalin e QSUT-së pasi mori ndihmë mjekësore te spitali i Traumës. Ai humbi ndjenjat gjatë protestës së opozitës ndërsa u raportua se ngjarja ndodhi pas një përplasjeje me policët të cilët e kanë rrethuar dhe e kanë shtrirë në tokë.
Nënkryetari i PD-së u ndihmua nga protestues dhe deputetë të opozitës të cilët menjëherë kanë bërë thirrje për uji. Gjekmarkaj foli dje nga spitali në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore dhe u shpreh se policët e shtynë dhe e shikonin me përbuzje. Ai theksoi se policia i ushtroi presion në gjoks dhe mbeti pa frymë.
Para se ngjarja të regjistrohet Gjekmarkaj deklaroi se është dhunuar nga policia gjatë protestës. Ai theksoi se policët e kanë përplasur dhe goditur me shkelma edhe pse e dinin që ishte deputet pasi ai u është prezantuar si i tillë. Sipas tij në vendin tonë nuk ka më institucione, ka vetën violencë dhe rezistencë qytetare.