Gjykata në Mbretërinë e Bashkuar vendos kundër Andrew Tate në çështjen tatimore, mund t’i konfiskohen mbi 2.4 milionë euro

Një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar ka vendosur që policia britanike mund të konfiskojë mbi 2 milionë funte (2.54 milionë dollarë apo 2.42 milionë euro) nga influencuesi kontrovers Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan.

Policia e Devon dhe Cornwall i ka klasifikuar vëllezërit, të cilët aktualisht përballen me akuza për trafikim njerëzor dhe marrëdhënie me të mitura në Rumani, si “shmangës të përsëritur të taksave”. Andrew Tate gjithashtu përballet me akuza për përdhunim, shkruan DW.

Fondet që pritet të konfiskohen vijnë nga disa llogari të ngrira në emrat e tyre, si dhe një llogari e një personi të tretë të paidentifikuar, një grua e njohur në dokumentet e gjykatës si “J.”

Deklarata e Tate: “Kjo nuk është drejtësi”

Sipas hetimeve, vëllezërit Tate nuk kishin paguar taksa për rreth 21 milionë funte (25.4 milionë euro) fitime nga bizneset e tyre online, si “War Room,” “Hustlers’ University,” “Cobra Tate” dhe “OnlyFans,” gjatë periudhës 2014-2022.

Një transaksion i dyshimtë prej 12 milionë dollarësh (14.5 milionë euro) nga vëllezërit drejt një llogarie të zotëruar nga “J.” ishte në qendër të çështjes.

Gjykata shikoi një video ku Andrew Tate shprehej: “Kur jetoja në Angli, refuzoja të paguaja taksa”.

Avokati i mbrojtjes, Martin Evans, argumentoi se transferimi i shuma të mëdha nga njerëz që menaxhojnë biznese online është “krejtësisht i zakonshëm”.

Në një deklaratë të mërkurën, Andrew Tate tha: “Kjo nuk është drejtësi; është një sulm i koordinuar ndaj kujtdo që guxon të sfidojë sistemin”.

Ndalimi nga rrjetet sociale dhe llogaritë e ngrira

Rasti në Mbretërinë e Bashkuar ishte një proces civil, që kërkon një standard më të ulët prove sesa procedurat penale me të cilat përballen aktualisht vëllezërit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Rumani.

Shtetasit e dyfishtë britaniko-amerikanë, Andrew (38) dhe Tristan (36), arritën miliona ndjekës në mediat sociale përmes përmbajtjes së tyre agresive të njohur si “manosphere”.

Pas arrestimeve të tyre, ata u ndaluan nga platforma si TikTok, YouTube dhe Facebook, ndërsa shumica e pasurive dhe llogarive të tyre bankare janë ngrirë.


Shtuar 18.12.2024 15:24