Babai i 4 fëmijëve dyshohet se abuzoi me shoqen e vajzës në Maliq, flet bashkëshortja: Nuk është e vërtetë, ishte një kurth

Bashkëshortja e Edison Shemës, i cili dyshohet se prej 4 vitesh ka abuzuar më një të mitur, ka mohuar në mënyrë kategorike këto akuza.

Në një prononcim për Euronews, ajo ka treguar se bashkëshortit i është bërë kurth, për shkak të një gjyqi që ka pasur me kryeplakun e fshatit. Ajo tha se nuk ka pasur komunikim me vajzën e mitur, por thekson se prej kohësh 16-vjeçarja bashkë me motrën e saj i vinin në shtëpi për të luajtur me fëmijët e saj.

Ngjarja e rëndë në fshatin Sheqeras të Maliqit, u zbulua vetëm ditët e fundit, ku ka qenë vetë e mitura, që nën praninë e prindërve ka treguar se është abuzuar seksualisht nga babai i 4 fëmijëve.

“Jam bashkëshortja e Edisonit. Për mua nuk është aspak e vërtetë, bashkëshorti im është familjar shumë shumë i rregullt. Për mua janë shpifje, e gjitha shpifje dhe nuk di se ku duan të dalin.

Janë shpifje nga njerëz të tjerë, nga kryeplaku i fshatit sepse ka patur sherre më parë. Atë ditë ka pasur gjyq bashkë dhe nuk arriti ta bënte gjyqin, u mbyll, përfituan atë që deshën dhe e lanë Edisonin me një njollë të zezë që nuk e ka aspak. Njohje kemi, bashkëfshatarë, në shtëpi jo, në magazina po, luanin fëmijët me fëmijët e mi. Vajza e mitur dhe vajza tjetër vinin e luanin me fëmijët e mi.

Unë nuk kam folur asnjëherë me ta, se fundmi jo. Hera e fundit që fola me Edisonin ishte dje, më tha më kanë akuzuar, dhe më fare. Nuk dimë se çfarë bëhet. E gjithë kjo është gënjeshtër. U bëj thirrje vajzave, janë të vogla, të mos e njollosin nderin e tyre për lek, të ruajnë dinjitetin. Do i ndjekë kjo kudo të jenë, nuk shpëtojnë. Mua më shkatërruan, por unë e kam familjen, do e rregulloj përsëri, por ato çdo bëjnë? Leku nuk është asgjë. Uroj të dalë e vërteta siç është, jo siç duan ta bëjnë”, tha bashkëshortja.


Shtuar 7.11.2024 17:35

Tags: ,