La Repubblica: 4 nga 16 emigrantët e dërguar në Shëngjin do të kthehen sërish në Itali

Katër janë emigrantët e ardhur sot në Shëngjin që do të kthehen drejt Italisë sërish, pasi dy janë 16-vjeçarë nga Bangladeshi, dy janë të rritur në një gjendje të cënueshmërisë ekstreme. Lajmin për numrin e shtuar të emigrantëve që do të kthehen e ka dhënë media italiane, “La Repubblica”, pasi më herët u raportuan largimi vetëm i dy minorenëve. Në marrëveshje thuhet se në kampin e Gjadrit nuk lejohen personat e brishtë, si gra e minorenë ose të sëmurë e të moshuar.

“Ndërsa ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, mbrojti në Kuvend “modelin e Shqipërisë”, 4 nga 16 emigrantët që mbërritën mëngjesin e sotëm në Shëngjin, duhet të kthehen shpejt në Itali nga qendra e Shëngjinit. Ministria e Brendshme konfirmoi transferimin në vazhdim të dy fëmijëve, por burime nga Shëngjini konfirmuan praninë e dy personave të tjerë që duhet të silleshin me shpejtësi në Itali.”, shkruhet në artikullin italian.

Dy djemtë e parë me sa duket u identifikuan falë UNHCR-së, ekipet e së cilës po monitorojnë procedurat që po zhvillohen në qendra. Gjatë intervistave ata shpjeguan se ishin 16 vjeç dhe se e kishin ndërmarrë udhëtimin vetëm.

“Ky është konfirmim i absurditetit të masave që kjo qeveri ka vendosur të përdorë, pavarësisht se identifikimi i në det është i paligjshëm dhe cënon normat ndërkombëtare dhe kushtetuese”, shkruan kreu i së majtës italiane Nicola Fratoianni.

Mekanizmi i vendosur, shprehet Angelo Bonelli i të Gjelbërve, nuk është vetëm një makinë shpërdoruese parash, por tashmë ka të meta të dukshme.

“Nëse vetëm me 16 emigrantë ata nuk ishin në gjendje të identifikonin dy djemtë, si mund të ndodhë kur ka qindra emigrantë”, tha ai.

Për sekretarin e +Europa Riccardo Magi “prania e dy të miturve në mesin e emigrantëve të çuar në qendrat e paraburgimit në Shqipëri është një lajm shqetësues dhe tregon paqëndrueshmërinë e procedurave, të cilat në testin e parë me një numër shumë të vogël njerëzish, tregojnë se ata nuk janë në gjendje të përballojnë.”

“Përzgjedhja arbitrare e bërë në det të hapur nuk mjaftoi për t’i shpëtuar detyrimit për t’i pritur ata në Itali. Hipën edhe dy të mitur. Një tjetër shkelje e të drejtave të më të cënuarve”, shkruan SeaWatch në X.

Ndërkohë pjesa tjetër e emigrantëve, do të transferohen në qendrën e pritjes në Gjadër, e cila ndodhet rreth 15 kilometra nga Shëngjini. Pasi dokumentet e tyre të përpunohen, ata ose do të dërgohen në Itali, nëse përgjigja ndaj kërkesës së tyre për strehim është pozitive, ose do të kthehen në shtëpi, nëse kërkesa e tyre refuzohet. Mjediset në Shëngjin dhe në Gjadër do të mbikëqyren nga personeli italian. Numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm në një kohë në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3000 veta sipas marrëveshjes.


Shtuar 16.10.2024 22:05