Ngjarja e rëndë e ndodhur në muajin Gusht në Pogradec, ku mbeti i vrarë Elgi Proga, ka çuar në arrestimin e 3 personave të tjerë, të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se në pranga kanë rënë Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe dhe Arjan Manellari, të cilët sipas akuzës nuk kanë treguar detajet e konfliktit dhe goditjes me grusht që i bëri Denis Meçe, Eglantin Progës.
Për më tepër, hetimet e zhvilluara gjatë kësaj kohe kanë nxjerrë të dhëna të tjera se tre personat janë përfshirë në fshirjen e pamjeve filmike të lokalit, ku ndodhi ngjarje, duke sjellë pengimin e hetimeve.
Fshirja e pamjeve filmike nga DVR-të e dy lokaleve ku ka qëndruar viktima para se të vritej, është kryer në mënyrë të qëllimshme.
Pamjet janë rikuperuar vetëm pasi prokuroria dhe Policia e Korçës, kontraktuan një ekspertët privat, i cili përmes programeve ka mundur të rikuperojë pamjet filmike të fshira.
Kaq ka mjaftuar, që sot prokuroria Dhorina Theodhori të marë vendimin për arrestimin e tre personave Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe dhe Arjan Manellari, ndaj të cilëve është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Arrestimi i tyre është kryer mëngjesin e sotëm, nga strukturat e hetimit të Krimeve të Rënda në Korçë.
Me këto arrestime të kryer ditën e sotme, numri i të ndaluarve për vrasjen e Eglantin Progës ka shkuar në 4 persona të ndaluar, duke përfshirë dhe arrestimin e Denis Meçes në muajin Gusht 2024.
Pritet që në ditët në vijim tre të arrestuarit të dalin para gjykatës së rrethit, për t`u njohur zyrtarisht me akuzat dhe masën e sigurisë “arrest në burg”.
Për hetimin e këtij rasti kaq kompleks dhe që tronditi opinionin publik policia dhe prokuroria e Korçës, kërkuan ndihmën dhe të laboratorit kibernetik në SPAK, por kjo prokurori refuzoi të japë asistencën teknike.
Sipas një ekspertize të mjekësisë-ligjore, vdekja e Eglantin Progës, në mesin e muajit Gusht në Pogradec, ka ardhur si pasojë e hemorragjisë në cipën e trurit dhe hemorragjisë në indin trunor.