Ilir Proda emërohet në krye të Policisë së Shtetit

Ditën e sotme, Ilir Proda është emëruar Drejtori i ri i Policisë së Shtetit. Emri i tij u konfirmua pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Ministri Brendshëm Ervin Hoxha, tha për mediat se Proda u konfirmua mes 10 kandidatëve të tjerë dhe organet ligjzbatuese kanë thënë se figura e tij është e pastër, referuar faktit që emi i tij është përmendur për dekonspirim operacionesh.

“Këshilli i Ministrave mori një vendim shumë të rëndësishëm. Këshilli i Ministrave miratoi Drejtorin e ri të Poilicisë së Shtetit, zotin Ilir Proda.

Fakti që organet ligjzbatuese u pyetën në një kohë record dhe përgjigja e tyre ishte shumë e shpejtë, kandidaturat janë verifikuar nga çdo organ ligjzbatues dhe pastërtia e tyre është në përputhje me çdo ligj dhe Drejtori i ri i Policisë së Shtetit i ka kaluar këto etapa verifikimi”, tha Hoxha.

Kush është Ilir Proda?

Prej marsit të vitit 2023, Ilir Proda, mban postin e drejtorit të Policisë Elbasan.

Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu, ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë.

Me një karrierë gati 19 vite në Policinë e Shtetit, Proda e nisi karrierën e tij në uniformat blu në vitin 2005, fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3.

Më pas, për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme.

Në vitin 2013, ai emërohet shef komisariati, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës.

Në korrik të vitit 2019, pasi merr gradën kryekomisar ai emërohet zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë.

Ndërsa në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit.


Shtuar 2.10.2024 13:09