“Pas shumë reflektimesh, kam marrë vendimin e vështirë”, Mira Murati njofton largimin nga OpenAI

Shefja e Teknologjisë e OpenAl, Mira Murati, do të largohet nga firma e Inteligjencës Artificiale.

Murati e cila ka origjinë shqiptare, ka qenë pjesë e kompanisë që krijoi ChatGPT për gjashtë vite e gjysmë dhe për pak kohë shërbeu dhe si CEO pas shkarkimit të bashkëthemeluesit Sam Altman.

“Pas shumë reflektimeve, kam marrë vendimin e vështirë për t’u larguar nga OpenAI,” shkroi Murati në një letër të hapur për kompaninë, të cilën e publikoi gjithashtu në rrjetin social “X” , duke shtuar, “Nuk ka kurrë një kohë ideale për t’u larguar nga një vend që dikush e pëlqen, megjithatë, ky moment është i duhuri.”

Ndër të tjera në këtë deklaratë Murati thotë se vendimin për tu larguar e ka marrë pasi do që të ketë më shumë kohë dhe hapësirë për të vijuar me punën dhe eksplorimin e saj.

Gjithashtu ajo nuk kurseu as falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë kolegët e saj dhe theksoi arritjet e fundit të OpenAl në teknologjinë e të folurit duke shtuar se këto ndryshime “shënojnë fillimin e një epoke të re në ndërveprim dhe inteligjencë”.

Murati iu bashkua OpenAI në 2018 dhe luajti një rol kyç në zhvillimin e disa prej produkteve më të spikatura të AI të kompanisë, duke përfshirë chatbotin ChatGPT dhe gjeneratorin e imazheve DALL-E. Ajo shërbeu shkurtimisht si CEO e përkohshme prej vitit 2023, pas shkarimit të bashkëthemeluesit Sam Altman.

Dorëheqja e saj vjen vetëm disa ditë përpara konferencës vjetore të OpenAI në San Francisko, ku kompania zakonisht zbulon përditësimet për mjetet dhe platformat e saj të AL. Largimi i Muratit shënon një tjetër ndryshim të rëndësishëm për ekipin drejtues të OpenAI pas trazirave të menaxhimit të vitit të kaluar.

Shqiptarja ka qenë anëtare ekipit drejtues të OpenAI prej gjashtë vitesh e gjysmë. Udhëtimi i shkurtër i Muratit drejt kryesimit të OpenAI është një histori e vendosmërisë, aftësisë, dhe thyerjes së barrierave. Mira Murati ka studiuar inxhinieri në Shkollën e Inxhinierisë Thayer në Dartmouth të Massachusetts, SHBA. Më herët ajo ka udhëhequr ekipet e produktit dhe inxhinierisë në “Leap Motion” për ndërtimin e ndërfaqeve hapësinore njeri-makinë.

Mira filloi karrierën e saj në një kompani teknologjike dhe shpejt u ngjit në gradë për shkak të aftësive të saj të jashtëzakonshme dhe ideve inovative. Pasioni i saj për përdorimin e teknologjisë për të bërë një ndikim pozitiv në botë, e bëri atë t’i bashkohej OpenAI, ku u emërua si CTO dhe iu dha mundësia të drejtonte ekipet që qëndrojnë pas disa prej projekteve më inovative të kompanisë, si DALL-E dhe ChatGPT.

Nën udhëheqjen e Mirës, projektet e OpenAI kanë marrë njohje dhe vlerësim global për kontributin e tyre novator në fushën e inteligjencës artificiale. Puna e saj ka qenë e rëndësishme në avancimin e misionit të OpenAI, për të përdorur inteligjencën artificiale për të mirën e të gjithë njerëzve dhe ka fituar çmime dhe nderime të shumta.

Përveç arritjeve të saj profesionale, Mira njihet edhe për përkushtimin e saj për ta bërë teknologjinë të aksesueshme për njerëzit nga të gjitha shtresat. Ajo është një avokate e fortë për diversitetin dhe përfshirjen në industrinë e teknologjisë dhe është e përkushtuar për të përdorur platformën e saj për të frymëzuar dhe mentoruar të rinjtë, që ndajnë pasionin e saj për teknologjinë.

Gjithashtu shqiptarja thuhet se ka udhëhequr projektimin, zhvillimin dhe lansimin e produkteve të automjeteve në Tesla Motors duke përfshirë Model X, si dhe programe inovative në hapësirën ajrore.


Shtuar 25.09.2024 23:28