Pas ndeshjeve me Kombëtaren në Nations League, legjionarët kuqezi kanë mbyllur një javë mjaft pozitive në klubet e tyre, duke qenë protagonistë me gola dhe paraqitje shumë të mira.
Dy nga sulmuesit e Kombëtares shqiptare, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni u rikthyen te goli. Sivasspor fitoi ndaj Gaziantep me rezultatin 3-2 dhe Manaj gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 37-të.
Granada e Myrto Uzuni barazoi në transfertë me skuadrën e Elche me rezultatin 2-2. Sulmuesi kuqezi u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë dhe vendosi baraspeshën në minutën e 55-të.
Te goli u rikthye edhe Cristian Shpendi. Sulmuesi i shpresave shndërroi në gol një penallti në fundin e pjesës së parë. Në fund sfida e Cesena ndaj Modena u mbyll në barazim 2-2 dhe për Shpendin ishte goli i tretë në kampionat.
Në Itali, Ardian Ismajli shkëlqeu në takimin ndaj Juventusit duke u zgjedhur edhe lojtari i ndeshjes për Empolin. Mbrojtësi kuqezi ishte vendimtar me ndërhyrjet e tij në barazimin 0-0 që Empoli mori në shtëpi ndaj Juventusit. Një ndeshje shumë e mirë e Ismajlit që u vlerësua me notën 7.5 nga sajti i specalizuar për statistika sofascore.
Lajmi tjetër i mirë nga kampionati italian ishte rikthimi në fushë i Berat Gjimshiti. Kapiteni kuqezi u dëmtua në grumbullim me Shqipërinë dhe nuk luajti në dy takimet e para në Nations League ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, megjithatë Gjimshiti është rikuperuar dhe ishte titullar në fitoren e Atalantës me rezultatin 3-2 ndaj Fiorentinës.
Në Seria A, një ndeshje të mirë zhvilloi edhe Kristjan Asllani. Mesfushori kuqezi e nisi si titullar takimin në transfertë të Interit ndaj Monzës dhe në fund të sfidës nga zikaltërit vetëm Dimarco u vlerësua me notë më të lartë se Asllani.
Një formë të mirë me klubin e tij po kalon edhe Jasir Asani, i cili së fundmi është përzgjedhur edhe lojtari më i mirë i muajit gusht në Korenë e Jugut. Një vlerësim mëse i merituar për Asanin që realizoi edhe dy gola me Gëangju në takimet ndaj Jeonbuk dhe Gangëon.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Arlind Ajeti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Ylber Ramadani, Medon Berisha, Amir Abrashi, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Ernest Muçi, Arbër Hoxha dhe Nedim Bajrami.