Maqedonia e Veriut kthehet në “fabrikë” të fake news, DW: Po i ndihmon Inteligjenca Artificiale

Tetë vjet pas zbulimit se lajmet e rreme në favor të kandidatit të atëhershëm presidencial Donald Trump janë prodhuar në mënyrë digjitale në Veles të Maqedonisë së Veriut, kjo “fabrikë” për prodhimin dhe shitjen e patriotizmit amerikan është ende aktive, thotë DW.

Pavarësisht faktit se në vitet e kaluara Facebooku ka fshirë dhe bllokuar shumë faqe që u zbuluan se shpërndanin lajme të rreme, Maqedonia e Veriut është akoma në krye të listës së vendeve që krijojnë fake news.

Revista e njohur “Forbes”, në një sondazh të publikuar më 26 gusht të këtij viti, tregon se janë zbuluar 67 faqe që manipulojnë opinionin. Ato janë kryesuese në prodhimin e lajmeve për kulturën ose identitetin amerikan, edhe pse këto faqe shpesh janë të vendosura jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 20 gusht, këto faqe kanë pasur rreth nëntë milionë ndjekës, më shumë se Wall Street Journal ose Washington Post. Ndërsa faqet e menaxhuara nga territori i Maqedonisë së Veriut janë bindshëm në vendin e parë me 4.7 milionë ndjekës.

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur 33 lokacione për përhapjen e lajmeve të rreme, ndërsa të tjerat ishin në vende të ndryshme si Kanadaja, Franca, Maroku, Venezuela dhe Vietnami.

Zëdhënësja e kompanisë Meta, Margarita Franklin, tha për Forbes se të gjitha faqet që shkelin rregullat e kompanisë për autenticitetin, sepse kanë deklaruar në mënyrë të rreme vendndodhjen, janë hequr nga rrjeti. “Spammer-ët” maqedonas kanë një histori të gjatë në Facebook.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA të vitit 2016, adoleshentët nga Velesi përhapën lajme të rreme për miliona amerikanë në Facebook, duke bërë dhjetëra mijëra dollarë të ardhura nga reklamat. Tani inteligjenca artificiale u ka dhënë atyre mundësinë për të prodhuar një sasi të pafund lajmesh me cilësi të ulët ose informacione të rreme.

Faqet kanë filluar të përdorin imazhe të krijuara nga IA për të tërhequr përdoruesit amerikanë të Facebook dhe, të paktën në disa raste, kjo po funksionon. Postimi i javës së kaluar në faqen “American Patriots” me bazë në Kanada, shfaqi një foto të krijuar nga IA të një ushtari amerikan dhe fëmijëve të tij. Ky postim kishte 100.000 klikime dhe 35.000 komente.


Shtuar 11.09.2024 16:49