DEA amerikane shkatërron bandën italo-shqiptare në Romë, 10 të arrestuar

Dhjetë persona, pjesë e një grupi kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike u vunë në pranga, pas operacionit të zhvilluar nga Guardia di Finanza, në bashkëpunim me DEA-n amerikane, i cili nisi një ditë më parë.

Nga kontrollet, u gjetën dhe sekuestruan 72 kilogramë kokainë që dyshohet se kishte ardhur nga Ekuadori në portin e Civitavecchia.

Ndërsa në një vilë në Romë, u gjet një plantacion me marijuanë. Gjithashtu, është dokumentuar blerja nga Spanja e mbi 50 kg hashash të llojit “polen” , si dhe disa episode të shitjes me shumicë të lëndëve narkotike për mbi 30 kg marijuanë.

Grupi kriminal, i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe italianë drejtonte dhe kryente shpërndarjen e narkotikëve në Romë.

Tetë prej të arrestuarve u lanë në burg, njëri në arrest shtëpie, ndërsa për një tjetër u caktua detyrim paraqitje. Nga tyre rëndojnë vepra penale që përfshijnë trafikun dhe prodhimin e drogës, prodhim të paligjshëm, mbajtje armësh, posedim dokumentesh false identifikimi, vjedhje të energjisë elektrike. Policia ka sekuestruar armë zjarri, përfshirë edhe kallashnikov apo armë gjahu.

Sipas autoriteteve, organizata mbështetej në një numër të konsiderueshëm “punonjësish” që ishin përgjegjës për menaxhimin e qendrave të tregtimit të drogës , duke kryer veprime të dhunshme, me qëllim për të mbajtur kontrollin e tregut përballë përpjekjeve për infiltrim nga fraksionet rivale.


Shtuar 5.09.2024 14:43