Belind Këlliçi: Plehrat kanë përmbytur Tiranën prej një muaji, 80 mijë euro në ditë për incineratorin inekzistent

Kur plehrat janë kthyer në shqetësimin kryesor të banorëve të kryqytetit, Bashkia e Tiranës, mbyll sytë përpara këtij fënomeni tashmë të përditshëm për të.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Belind Këlliçi, anëtar kryesie i PD dhe njëkohësisht drejtues politik për Tiranën, ka publikuar një video ku tregohet situata me mbetjet në rrugën ‘Allaman Dervishi’, pranë kompleksit ‘Malajzian’ në Laprakë, Njësia 11.

Në reagimin e tij, Këlliçi nënvizon se plehrat dhe kazanët e kësaj zone, kanë mbi 1 muaj pa u pastruar nga Bashkia e Tiranës.

Edhe akuzat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj nuk i kursen, teksa thotë se plehrat kanë përmbytur Tiranën prej kohësh, ndërsa qytetarët vijojnë të paguajnë 80.000 euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston.

Thirrje e radhës për qytetarët nga ana e Këlliçit, ishte që të marrin pjesë në protestën e radhës që do të zhvillohet para Bashkisë së Tiranës më 29 gusht, ora 11:00.
Reagimi:

E hëna e sotme shënon një tjetër rekord të ‘Kryeqytetit Europian të Pastërtisë’. Banorët në rrugën ‘Allaman Dervishi’, pranë kompleksit ‘Malajzian’ në Laprakë Njësia 11, informojnë se plehrat dhe kazanët e kësaj zone, kanë mbi 1 muaj pa u pastruar.

Pronari faktik i inceneratorit Tiranë dhe kreu i “5D”, raportohet të ketë vizituar zonën disa herë, ka ‘mbjellë’ disa herë pemë, ka prodhuar dhjetra kaseta me kronika të gatshme për mediat, janë pasqyruar disa kronika të suksesshme nga parcela e Pyllit Orbital në Laprakë, por realiteti sigurisht është ndryshe!

Plehrat kanë përmbytur Tiranën prej kohësh. Ndërkohë vijojmë të paguajmë 80.000 euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston!

SPAK-u sigurisht nuk merret dot me këtë krim intelektual, sepse do shumë mend të zbulohet! Mos harroni, si gjithmonë fajin e ka opozita! Javë të mbarë të dashur miq, e sërish shihemi në protestë, të enjten, datë 29 gusht, ora 11:00, para selisë së “5D”.


Shtuar 26.08.2024 13:59