Nga kjo e hënë ka nisur regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë dhe në atë të dhjetë. Në deklaratën për mediet bëhet e ditur se gjithçka do të zhvillohet online në “e-Albania” prej prindërve ose nga kujdestari i nxënësit.
Për këtë proces afati maksimal është lënë data 31 korrik, një periudhë e konsideruar e mjaftueshme.
Procedurat do të jenë të hapura si për të vegjlit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ashtu edhe për ata që do të nisin gjimnazin, qoftë të përgjithshëm, të mesme të orientuar, apo profesionale.
Një tjetër kategori do të jenë të rinjtë që do të kërkojnë të jenë pjesë e gjimnazit të pjesshëm që I përket moshës mbi 18-vjeçare.
Përmes aplikimit online do të shmanget përzgjedhja e shkollave publike larg zonës së banimit, pasi automatikisht në portalin “e-Albania” do të jepet shkolla më e afërt.
Nga ana tjetër, në institucionet arsimore stafet do të jenë në gatishmëri për t’iu dhënë konsultën e duhur prindërve të interesuar.
Ndërkaq javën e ardhshme do të nisë edhe aplikimi i maturantëve për të vijuar universitetin, apo për të ndjekur rrugën e profesionit.