Temperatura ekstreme deri në 46 gradë, vdesin 14 pelegrinë gjatë Haxhit në Mekë

14 pelegrinë, shtetas jordanezë kanë ndërruar jetë gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, për shkak të të nxehtit përvëlues.

Njoftimin e bëri Ministria e Jashtme e Jordanisë, e cila foli edhe për 17 të zhdukur. Kryqi i Kuq iranian konfirmoi po ashtu vdekjen e pesë pelegrinëve nga Irani, por pa përmendur arsyet.

Zyrtarë jordanezë pohuan se janë duke vazhduar kërkimet për personat e raportuar sit ë zhdukur. Ata po i koordinojnë veprimet me autoritetet saudite, e po kështu po ndjekin procedurat qoftë për varrosjen e të vdekurve në vend apo kthimin e tyre në atdhe, sipas dëshirave të familjarëve.

Haxhi, një detyrim fetar për të gjithë myslimanët, është një prej grumbullimeve më masive në botë dhe vetëm në ceremoninë e këtij viti, marrin pjesë mbi 1.8 milion pelegrinë. Në të kaluarën është raportuar për katastrofa vdekjeprurëse, përfshirë ikjet e rrëmujshme dhe zjarret nëpër tenda, por këtë vit sfidë kryesore ka qenë i nxehti. Ditët e fundit, termometri ka shënuar deri në i 46 gradë Celsius, duke bërë që ritualet që duhet të kryhen në këmbë në ambiente të jashtme, të jenë tepër sfiduese, sidomos për të moshuarit. Pelegrinazhi i Haxhit, një nga pesë shtyllat e islamit, përfundon të mërkurën.


Shtuar 17.06.2024 16:35