Chelsea shkarkoi Mauricio Pochettino të martën dhe është në kërkim të një trajneri të ri.
Fabrizio Romano ka publikuar përditësimin më të fundit në lidhje me emrat që janë në listën e klubit londinez për strategun e ri.
“Thomas Frank, Kieran McKenna, Enzo Maresca janë përmendur të gjithë në listën e Chelseat. Është ende një garë e hapur”, shkroi gazetari në Twitter.
“Sebastian Hoeness mbetet shumë i vlerësuar, por konsiderohet i vështirë për t’u emëruar”.
“Nuk ka bisedime me Kompany (në listën e Bayernit), Tuchel, Flick apo Conte. Diskutimet e brendshme vazhdojnë”, ka zbuluar Romano.
Frank ka bërë një punë të mirë me Brentford në një nga buxhetet më të ulëta të Ligës Premier.
McKenna mori Ipswich nga Championshipi dhe e inkuadroi në Ligën Premier në dy sezone. Maresca fitoi kampionatin me Leicesterin në sezonin e tij të parë me Foxes. /Telegrafi/