Kunata tregon bisedën e fundit me Alma Arrazin: Po ta dija se do mbytej me fëmijët s’do e kisha lënë kurrë, ja kë telefonova pasi u ndamë

Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Shkodrës, që mbylli në burg Erdgys Arrazin, babain e 3 fëmijëve dhe gruas së tij të mbytur, në ujërat e lumit Buna.

Mes rrethanave dhe fakteve të parashtruara në këtë vendim jepet dhe dëshmia e Valentina Arrazit, e cila është kunata e Almës, njeriu i fundit që kishin takuar në kafe 4 viktimat e mbytura.

Siç shihet dhe në pamjet filmike të transmetuara pak ditë më parë ekskluzivisht nga “Ora News”, Valentina është personi i fundit që ka parë kunatën dhe tre fëmijët gjallë.

Në dëshminë e saj ajo tregon se:

“...Dolëm për të pirë një kafe së bashku me Almën dhe fëmijët tanë tek një lokal në pedonalen e Molos në hyrje të qytetit të Shkodrës. Unë e kam dashur shumë Almën edhe ajo mua e po ashtu edhe fëmijët kanë shkuar shumë mirë ndaj edhe dolëm si zakonisht me njëra-tjetrën. Rrugës përpara se të mbërrinim unë u ndala në një market për të blerë diçka dhe Alma më priti jashtë. Kur dola Alma më tregoi se Erdgysi, kishte kaluar me makinë së bashku me të dashurën e tij dhe se i kishte parë.

Unë nuk e kam parë Erdgysin sepse isha në market por Alma më tha se kishte kaluar. Kemi vijuar rrugën dhe u ulëm në kafe. Fëmijët po luanin dhe me Almën biseduam pak për marrëdhënien e saj me Erdgysin. Më pas vijuam edhe me biseda të tjera dhe rreth orës 20:10 ikëm nga aty.

Alma më tha më përpara se do të vinte ta merrte i vëllai me taksi dhe se do shkonte tek familja e saj në Durrës derisa të sqaroheshin me bashkëshortin e saj. Më tregoi se Erdgysi ishte në dijeni se do ikte dhe u ndamë.

Para një muaji Alma kishte qenë tek familja e saj në Durrës për shkak të debateve që mund të kenë pasur. Pavarësisht situatës, Alma i ka kërkuar Edgysit që të shkonte e ta merrte dhe se ia kishte falur faktin që ishte njohur me një vajzë tjetër me shpresën se ai do ta linte atë për të vijuar me familjen e tij.

Erdgysi ka shkuar dhe e ka marrë duke qenë se ajo e kishte kërkuar. Fakti që ishte larguar edhe para një muaji tek familja nuk më bëri të dyshoj për atë gjë aq të rëndë që Alma bëri. Unë po ta dija se Alma do mbytej bashkë me fëmijët do kisha bërtitur në mes të lokalit dhe nuk do ta kisha lënë kurrë por nuk e dija sepse thjeshtë më tha se do e merrte i vëllai”.

Më tej Valentina tregon se: “…Pasi Alma u largua unë nxora telefonin dhe lajmërova bashkëshortin tim se nuk kisha internet dhe se do ikja për në shtëpi. Pasi i thashë se isha pa internet, vijova rrugën deri në shtëpi…”.

“…Unë i thashë bashkëshortit kur ika në shtëpi se Alma do shkonte tek familja e saj në Durrës. E mori vesh edhe Erdgysi se do shkonte në Durrës. Pas afro dy orësh kemi komunikuar me motrën e Almës dhe ajo na tha se nuk kishte shkuar atje. Kjo na bëri të dyshojmë dhe e gjithë familja jonë dolëm me makina duke kërkuar kudo në rrugët e qytetit nëse mund të gjendej diku Alma, por nuk e gjetëm askund. Kemi kërkuar e pyetur shumë edhe të nesërmen më 3 maj por askush nuk na konfirmoi asgjë derisa Erdgysi shkoi në polici dhe bëri denoncimin për humbjen e saj dhe të tre fëmijëve…”.


Shtuar 14.05.2024 14:51