Ditën e sotme, është mbledhur Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, për të diskutuar mbi “projektligjin për shëndetin s*ksual dhe riprodhues”.
Komunitetet fetare të Shqipërisë ,prej disa ditësh të njohur nëpërmjet medias me një projektligj lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, kanë ngritur shqetësimin e tyre për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe mungesa e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare.
Kështu nëpërmjet Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Bordi i Presidencës së KNFSH-së, i cili përbëhet nga pesë liderët e pesë komuniteteve fetare në Shqipëri ka ngritur grupin e punës me përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare me specialistë të tillë si juristë, sociologë, teologë dhe mjekë.
Gjatë takimit të sotëm, grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet e tyre profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë, duke shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me efektet negative, që mund të ketë projektligji për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë përsa i përket disa ndryshimeve që parashikon në ligj në lidhje me shëndetin s*ksual dhe riprodhues.