Djali i Tom Doshit shkaktoi aksident, por policia e la të ikte, pyetet Drejtori i Policisë Lezhë

Drejtori i Policisë Vendore të Lezhës, Alfred Elezi, është marrë në pyetje nga prokuroria, në lidhje me rastin e aksidentit te djalit të ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi.

Elezi, të martën e 23 prillit, për rreth 2 orë ka dhënë shpjegime në lidhje me rolin e tij, përballë prokurorit Sabri Kastrati dhe 2 oficerëve të policisë gjyqësore.

Organi i akuzës ka dyshime se ai ka ndërhyrë përmes një telefonate te shefi i qarkullimit Ismet Sula, për të favorizuar djalin e Doshit, por kjo pritet të vërtetohet ose të hidhet poshtë edhe pas ekzaminimeve të tabulateve telefonike.

Krahas procedimit për shpërdorim detyre, pritet të regjistrohet dhe akuza e ndikimit të paligjshëm, kjo në varësi të vijimësisë së hetimeve.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se me vendim të prokurorit është vënë në sekuestro makina tip “Lexus” e James Doshit, me të cilët bëri aksidentin në datën 17 mars.


Shtuar 24.04.2024 11:59