Lista Serbe reagon ndaj bojkotimit të referendumit në veri: Serbët po i frikëson Kurti dhe njësitë e tij ilegale parapolicore

Lista Serbe ka reaguar pas përfundimet të procesit të votimit në veri, për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë.

Përmes një postimi në Facebook, Lista Serbe e ka quajtur farsë votimin, për të cilin ka deklaruar se është organizuar nga “regjimi i Albin Kurtit”.

Lista Serbe ka deklaruar se “dita e sotme tregoi një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb, i cili qëndroi konsistent ndaj vetvetes, por edhe dëshmoi se nuk është Lista Serbe dhe Serbia që po i frikësojnë serbët, por Kurti dhe njësitë e tij ilegale parapolicore, gjë që rezultoi në rrugë të zbrazëta të veriut”.

Sipas kësaj partie, e diela ka treguar disa gjëra që duhet të merren parasysh në periudhën e ardhshme, në radhë të parë nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

“E para është se Lista Serbe kishte thellësisht të drejtë kur i bëri thirrje popullit serb që të mos merrte pjesë në këtë lojë të Kurtit sepse ishte krijuar që në fillim me synimin për të dështuar”, thuhet në reagim.

LS-ja ka thënë se ishin të gatshëm të merrnin pjesë në këtë proces por, sipas tyre, nuk donin të luanin “lojën e drejtuar nga Kurti” nga e cila, pretendohet se nuk planifikohej largimi i kryetarëve aktualë.


Shtuar 21.04.2024 21:30