Burrat ukrainas deri në moshën 25 vjeç tani mund të rekrutohen në shërbimin ushtarak pasi Presidenti Volodymyr Zelensky nënshkroi një ligj të ri të martën që ul moshën e rekrutimit si një përpjekje për të rifreskuar ushtrinë e rraskapitur pas 2 vitesh luftimesh me Rusinë.
Ulja e moshës së rekrutimit, e cila kishte qenë 27 vjeç, ishte masa më domethënëse në një projekt-ligj mobilizimi që ka parë tashmë mijëra amendamente në parlament që nga fillimi i këtij viti. Edhe pse qytetarët mund t’i bashkohen vullnetarisht ushtrisë duke filluar nga mosha 18 vjeç, dhe burrave midis 18 dhe 60 vjeç u ndalohet të largohen nga vendi sipas ligjit ushtarak, drafti deri më tani ka mbrojtur nga mobilizimi me force të rinjtë, shumë prej të cilëve janë student.
Diskutimi se kush dhe sa njerëz duhet të mobilizohen ka qenë pike përçarëse në një shoqëri që ka qenë e bashkuar përballë armikut të përbashkët rus. Megjithëse mbështetja për ushtrinë është jashtëzakonisht e lartë në mesin e ukrainasve, pak njerëz që nuk kanë dalë tashmë vullnetarë për të luftuar, dëshirojnë ta bëjnë këtë. Ndërkohë, komandantët ukrainas kanë thënë se kanë nevojë të dëshpëruar për përforcime, veçanërisht në pozicionet më përpara. Disa ushtarë kanë luftuar për më shumë se dy vjet me pak pushime.