Në seancën e sotme plenare ku po diskutohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta, deputeti i opozitës Adriatik Alimadhi është përfshirë në një debat me zv.kryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi.
Alimadhi i ka kërkuar kësaj të fundit raportin e ekspertëve për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta teksa theksoi se që të votojë për shkarkimin duhet të krijojë bindjen se Kreu i Shtetit ka bërë shkelje të rënda, siç pretendohet dhe nga ana e socialistëve.
Nga ana tjetër Hysi i është përgjigjur se asnjë deputet nuk është ndaluar që të shkojë te sekretaria dhe të lexojë të gjitha dokumentet me përjashtim të atyre provave që përbejnë sekret hetimor dhe nuk mund të aksesohen nëse nuk janë të pajisur me certifikatën e sigurisë.
Alimadhi: Mos na bëni si fëmijë. Unë do të votoj për shkarkim. Ju e keni administruar dhe përbën thelb kushtetues raporti i një eksperti, që çdo deputet duhet ta zotërojë. Si ka mundësi që gjithë këta deputetë nuk e zotërojnë dhje do votojnë për shkarkimin apo jo të presidentit.
Ka mundësi të më jepni materialin sepse nuk na e keni dhënë. Unë duhet të ndërgjegjësohem me aktet që ju keni raport. Mos na bëni si fëmijë, nuk ka asgjë për procedurë.
Unë duhet të krijoj bindjen që Presidenti i vendit tim shkarkohet për ketë shkelje të rëndë. Nga nesër vendimi do shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do t’u kërkohen këto procedura.
Hysi: Komisioni përcjell në Kuvend raportin, të gjitha aktet provat dhe asnjë deputet nuk është i ndaluar që të shkojë të sekretaria t’i lexojë të gjitha dokumentet me përjashtim të atyre provave që përbejnë sekret hetimor dhe nuk mund t’i aksesoni nëse nuk kemi certifikatën e sigurisë. Kjo nuk është për të dhënë mësim apo leksion, por po ju sjell në vëmendje diçka që është në rregullore.