Kurti ‘përplaset’ me kryeministren serbe: Jemi Republika e Kosovës, shtet i pavarur i njohur nga fuqitë e mëdha

LONDËR– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, i cili po zhvillohet në Londër. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Kurti tha se Kosova është e dedikuar për të pasur rend, në vend të respektohet ligji, si dhe të luftohet korrupsioni.

Kurti deklaroi se Kosova ka partnerët e saj më të mëdhenj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe.

“Ne jemi të dedikuar për të pasur rend, ligj dhe t’i shpallim luftë korrupsionit. Ne ndajmë të njëjtat vlera me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe BE-në dhe jemi pranë tyre, sidomos pas luftës në Ukrainë”, u shpreh Kurti.

“Ne nuk kemi lidhje me federatën ruse, ne i kemi vendosur sanksione Rusisë. Ne duam që Ukraina të fitojë luftën dhe ne kemi nevojë që Evropa demokratike dhe bota të shohin disfatën e Kremlinit dhe Putinit. Kështu që ne nuk kemi bashkëpunim me ta, edhe pse ata do të donin, por ne nuk duam”, tha Kurti.

Më tej, Kurti kritikoi kryeministren serbe Ana Brnabiç, pasi ajo përmendi termin “Kosova e Metohija”.

“Ne jemi Republika e Kosovës dhe jo Kosova e Metohija. Jemi shtet i pavarur dhe njihemi anembanë botës”, u shpreh Kurti.

Brnabiç nga ana e saj lavdëroi zhvillimin ekonomik të Serbisë. Ndërsa, Kurti tha se Kosova ka përparuar sa i përket zhvillimit ekonomik. Ai shtoi se Prishtina ka shërbyer për stabilitet rajonal e institucional. Po ashtu, Kurti deklaroi se Republika e Kosovës ka ditur mjaft mirë t’iu bëjë ballë rreziqeve të sigurisë.


Shtuar 26.02.2024 14:04