Rritje e Papritur e ekonomisë me 5%, shenjë e rimëkëmbjes në Ukrainë

Gjatë vitit 2022, ekonomia e Ukrainës u tkurr 29%. Bizneset ukrainase u shkatërruan, eksportet u ndërprenë dhe miliona njerëz u detyruan të largoheshin nga shëtëpitë e tyre. Por, siç njofton nga Kievi korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze, zyrtarët ukrainas thonë se në vitin 2023 ekonomia e Ukrainës, në fakt, u rrit me 5%. Në 2022, vitin kur Rusia filloi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, ekonomia ukrainase shënoi tkurrje në nivel 29%. Ekonomistët parashikuan rënie të mëtejshme ekonomike në vitin 2023, por për habinë e vendit, shifrat ishin më të mira se sa pritej.

“Në fund të vitit 2023 mësuam se ekonomia ishte rritur me 5%. Ukraina kishte mbledhur 4.4 miliardë dollarë më shumë në taksa se në vitin 2022. Ky është rezultat i punës së fortë të bizneseve dhe popullit ukrainas”, tha për Zërin e Amerikës zëvendësministrja ukraianase e ekonomisë Tetyana Berezhna.

Ajo thotë se lufta e detyroi Ukrainën të ristrukturonte ekonominë e saj dhe të bënte ndryshime të mëdha.

“Ne nuk duam të jemi më qendra burimore e Evropës. Ne duhet të përpunojmë produktet brenda vendit tonë. Kjo është mënyra më e mirë për të krijuar vende të reja pune, për të krijuar të ardhura nga taksat dhe për të shtuar vlerën brenda vendit tonë”, thotë ajo.

“Esper Bionics” është ndër kompanitë që përmbushin kërkesat e ekonomisë së luftës. Ajo përdor novacionin dhe inxhinierinë ukrainase për të prodhuar proteza me teknologji të lartë që mund të ndihmojnë në rehabilitimin e veteranëve të plagosur në luftë. Zyrtari kryesor i teknologjisë Kyrylo Perevozchykov mbikëqyr zgjerimin e operacioneve të kësaj kompanie ukrainase.

“Vitin e kaluar kishim një rritje dy herë më të madhe se në vitin paraprak. Dyfishuam numrin e punëtorëve në linjat e montimit. Po përpiqemi të përmbushim kërkesat shumë të larta për produktet tona”, thotë ai.

Para luftës, kompania “OTP Leasing” ishte një udhëheqëse në tregun e qeradhënies në Ukrainë, duke ofruar me qera pajisje të ndryshme bujqësore, mjekësore dhe makineri të tjera. Por, qendrat e kompanisë afër Kievit ishin në shënjestër të bombardimeve nga forcat ruse, duke shkatërruar një sasi të konsiderueshme pajisjesh. Disa nga automjetet e saj, duke përfshirë kamionë të mëdhenj, janë modifikuar për t’u përdorur në fushën e mbrojtjes, dhe makineri të tjera po përgatiten për dislokim në vijat e frontit. Presidenti kompanisë “OTP Leasing”, Andriy Pavlushyn thotë se kompania tani është në rikuperim.

“Ne patëm një rritje të mirë në vitin 2023. Ne tashmë kemi patur 30% rritje të shitjeve. Para luftës, ne kishim një portofol total prej 500 milionë dollarësh, ndërsa tani kemi rreth 350 milionë dollarë. Pra, u zvogëluam pak. Por këtë vit ne planifikojmë të stabilizohemi dhe vitin e ardhshëm të fillojmë sërish të kemi rritje”, thotë ai.

Një ekonomist, megjithatë, paralajmëron se ekonomia e Ukrainës është bërë gjithashtu më e varur nga mbështetja ndërkombëtare dhe më e përqendruar në shpenzimet ushtarake.

“Buxheti ukrainas po humbet rreth 25 deri në 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që është një shifër e madhe. Dhe ne e kemi pranuar plotësisht se sa më shumë para që marrim nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, aq më elastikë jemi nga pikëpamja ushtarake dhe se kemi nevojë për sa më shumë ndihmë direkte për sektorin ushtarak të ekonomisë”, thotë Anton Nanavov, ekonomist në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Ai thotë se rimëkëmbja ekonomike e Ukrainës dhe kthimi i qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike do të kërkojë miliarda dollarë investime në vitet e ardhshme dhe stimuj të fortë nga qeveritë dhe institucionet e huaja financiare./ VOA


Shtuar 25.02.2024 18:11