Tirana pret më 28 shkurt samitin e Ukrainës, Zelesnky nga lufta për herë të parë në Shqipëri! Çfarë pritet të ndodhë

Tirana do të mirëpresë për herë të parë një Samit dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë nga dy vjetori i nisjes së agresionit rus atje.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë për herë të parë, në datat 28-29 shkurt, kur edhe do të mbahet samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

Lideri ukrainas pritet të mbërrijë në Tiranë në mbrëmjen e 27 shkurtit, ndërsa më datë 28, të mërkurën, do të marrë pjesë në samitin ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

Në axhendën e tij, Presidenti i Ukrainës pritet të ketë disa takime bilaterale, mes të cilave me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe  kryeparlamentaren Lindita Nikolla, megjithëse detajet e vizitës, nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht për shkak të nivelit të lartë të sigurisë mbi të cilin do të zhvillohet kjo vizitë.

Pjesë e këtij samiti, përmes një video mesazhi do të behet edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, siç njoftoi vetë kryeministri Edi Rama nga Ankaraja më 20 shkurt.

Punimet priten të zhvillohet në ambientet e pallatit të Kongreseve, aty ku do të mbahet ceremonia pritëse, ndërsa në përfundim të sesioneve të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

Më datë 29 shkurt, do të vijohet me një tjetër samit, atë të Ballkanit Perëndimor ku do të marrin pjesë liderët e 6 vendeve të rajonit.

Fokusi i këtij takimi do të jetë tek plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit europian, ndërsa pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.


Shtuar 25.02.2024 14:32