Izraeli sulmon deklaratat e Vatikanit: Lufta përputhet me ligjet ndërkombëtare

Izraeli sulmoi Vatikanin lidhur me komentet e bëra nga një zyrtar i lartë, ku ai i referohej luftës së Izraelit në Gaza si masakër.

Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin, e komentoi këtë të martën në një pritje që festonte përvjetorin e njohjes së qytetit të Vatikanit si qytet-shtet sovran. Ai dënoi sulmet e 7 tetorit dhe të gjitha format e antisemitizmit, por më pas vuri në dyshim nëse reagimi i Izraelit ishte i duhur.

“E drejta e Izraelit për vetëmbrojtje është thirrur për të justifikuar se ky operacion është proporcional, por me 30,000 të vdekur, nuk është ashtu,” tha ai.

Ambasada e Izraelit në Selinë e Shenjtë i quajti komentet e Parolin të papranueshme në një deklaratë të lëshuar të enjten.

“Gjykimi i legjitimitetit të një lufte pa marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe të dhënat përkatëse çon në mënyrë të pashmangshme në përfundime të gabuara”, thuhet në deklaratën e panënshkruar.

Deklarata përfundon duke thënë se përgjigja izraelite ka qenë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.


Shtuar 15.02.2024 18:45