Java e nxehtë e politikës: Nga shkarkimi i Metës, Kongresi i PS dhe zgjedhjet për kreun e ri të PD

Nëse dikush mendonte se pas zgjedhjeve të 25 Prillit politika shqiptare do të shkonte me pushime është gabuar!

Termometri politik javën e ardhshme, pritet të rritet si asnjëherë më parë, duke nisur me votimin e shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga parlamenti një ngjarje e paprecedentë për vendim tonë. Në kongresin e socialistëve Edi Rama pritet të shpalosë vizionit qeverisës të katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet për lidershipin e PD fundjavën e ardhshme, e vendosin Lulzim Bashën përpara një testi jo fort të lehtë për të vijuar drejtimin e PD por edhe për të ardhmen e tij në politikë.

Paraditja e 9 Qershorit do ti gjejë deputetët e kuvendit përballë kutisë së votimit historik për shkarkimin e presidentit. Në këtë përballje finale me Ilir Metën socialistëve u duhen 94 vota të cilat të vetëm nuk i kanë. Megjithatë nuk pritet ndonjë surprizë por me interes do të shihet, numri total i votave pro shkarkimit, që do të prodhohen nga ky votim dhe nëse vetë Edi Rama do të rikthehet në parlament për t’ja përsëritur akuzat Ilir Metës, i cili ka shprehur vendosmëri në qëndrimin në presidencë deri në korrik 2022.

Tre ditë pas socialistët mbledhin kongresin e tyre jo për të shprehur triumfin e fitores të 25 prillit por për të hedhur piketat organizative drejt zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe atyre parlamentare të 2025. Ri-organizmi çdo strukture të PS do të jetë kryefjala e këtij kongresi. Ndërkohë i pari socialistëve Edi Rama do të lancojë prioritetet e qeverisë në këtë mandat të tretë. Pritet me interes sinjalet që mund të japë Rama rreth kritereve të përzgjedhjes të ministrave të rinj në kabinetin Rama 3.

Kongresi socialistëve një ditë më pas do tja lërë vendin garës elektorale për lidershipin e ri të PD. Në të gjithë Shqipërinë përmes mekanizmit 1 antarë 1 votë demokratët do të zgjedhin se kush duhet ta udhëheq partinë më të madhe të opozitës në vend pas një disa humbjesh rresht elektorale dhe aksioneve politike që nuk mundën ta sjellin në pushtet.

Lulzim Basha ka hyrë në këtë garë me avantazhin e të qenurit kryetar i PD, ndërsa tre sifidantët e tij si kalë të betejës së tyre elektorale kanë evidentimin e dështimeve të zotit Basha dhe nevojën e nisjes së një kapitulli të ri për PD-n.

Por a do të jetë datë 13 Qershori fundi i një kalendari me temperature të larta politike me protagonist faktorin e brendshëm politik shqiptarë?/tch


Shtuar 6.06.2021 21:18