Një gjykatë në Moskë ka lëshuar një fletarrestim për shkrimtarin e njohur rus, Boris Akunin, i cili është akuzuar për thirrje për “terrorizëm” dhe shpërndarje të “informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse.
Akunin njihet ndryshe si Grigory Chkhartishvili.
“Ndaj Chkhartishvilit është dhënë një masë parandaluese e paraburgimit për një periudhë prej dy muajsh nga momenti i ndalimit të tij në Rusi ose ekstradimit”, tha gjykata e Basmanny, më 6 shkurt.
Muajin e kaluar, Ministria e Brendshme e Rusisë e vendosi Akuninin person në kërkim për aktivitet të dyshuar kriminal, megjithëse nuk u përmendën akuza specifike.
Akunin, 67 vjeç, i cili aktualisht jeton në Londër pasi u largua nga Rusia në vitin 2014, ka kritikuar hapur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, i cili filloi në shkurt të vitit 2022
Në fillim të këtij muaji, Ministria ruse e Drejtësisë e shpalli Akunin “agjent të huaj”, në një listë ndëshkuese e aplikuar gjerësisht dhe që synon kritikët e regjimit.
Muajin e kaluar, shërbimi monitorues financiar i Rusisë, Rosfinmonitoring, shtoi Akunin në listën e “terroristëve dhe ekstremistëve” pa asnjë shpjegim, por raportet e mediave thanë se kishte nisur një hetim kundër Akuninit lidhur me akuzat e diskreditimit të forcave të armatosura ruse.