Kongresi në SHBA, deklaratë për Ballkanin: Ta mbështesim më shumë, shkak Rusia e Kina!

Ballkani Perëndimor ka qenë temë diskutimi mes anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve të lartë amerikane, si dhe pjesëtarë parlamentesh të vendeve europiane dhe Ballkanit Perëndimor, të cilët përcollën shqetësimin e tyre nga ndikimi negativ i Rusisë dhe Kinës në rajon.

Të dyja këto vende sipas pjesëmarrësve, po përpiqen ta shtojnë influencën e tyre përmes ndërhyrjeve politike dhe dezinformimit në rastin e Moskës, dhe investimeve ekonomike dhe infrastrukturore në rastin e Pekinit. Ata theksuan nevojën e forcimit të koordinimit mes SHBA-së dhe aleatëve të tyre me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa gjithashtu folën për nevojën e integrimit të rajonit.

Kongresmeni Pete Sessions një nga bashkëdrejtuesit dhe organizatorët e diskutimit i tha Zërit të Amerikës se Rusia ka vite që përpiqet për destabilizimin e Ballkanit, dhe se është e qartë se ajo përdor dezinformatat dhe forcë kur do që të realizojë synimet e saj.

“Destabilizimi i Ballkanit nga Moska është diçka që secili prej vendeve atje e sheh dhe ata e shohin që jo vetëm po ndodh, por se ka përpjekje e qëllimshme për të minuar këto vende. BE-ja, NATO dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të bashkuara dhe të thonë me forcë se ‘ne i mbështesim këto vende dhe do të qëndrojmë së bashku me to’. Kjo është ajo që u duhet këtyre vendeve: Që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të qëndrojnë me forcë në krah të tyre”, u shpreh kongresmeni Pete Sessions.

Edhe sipas anëtarit republikan të Kongresit, Robert B. Aderholt vendet e Ballkanit sot më shumë se kurrë janë jetike për partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe duhet të ketë një qëndrim të unifikuar kundër ndikimeve negative.

Në diskutim mori pjesë edhe analisti i njohur i çështjeve të Ballkanit Edëard Joseph, i cili u kujtoi ligjvënësve se rajoni është pjesë e rëndësishme e  strategjisë së Putinit, që sipas tij, dëshiron të ndajë Europën nga Shtetet e Bashkuara dhe dëshiron të ndajë Europën brenda vetes, ndërsa Ballkanin e sheh si një rrugë kryesore për ta bërë një gjë të tillë.


Shtuar 1.02.2024 12:45