Dhunë, tradhti dhe kërcënime, çfarë ka treguar më parë në media Mexhit Picari për viktimën dhe vajzën e tij

Ditën e sotme pranë Gjykatës së Tiranës u vra Kudret Saliaj. Ai u qëllua me disa plumba nga babai i ish-bashkëshortes së tij, Mexhit Picari.

Ngjarja ndodhi 10 minuta përpara se të niste seanca e pestë e gjyqit, pasi kishte qenë Kudreti që kishte kërkuar divorc nga bashkëshortja.

Çifti i cili ka tre fëmijë të mitur nga martesa e tyre, ishin përfshirë në konflikte dhe debate për dhunë dhe tradhti që në fund të vitit 2020.

Në shtator të vitit 2020, Mexhit Picari ka rrëfyer historinë e dhëndrit dhe vajzës së tij, ndërsa pretendon se Kudret Saliaj e ka tradhtuar vajzën.

Ai ka treguar  një histori të 10 viteve më parë, kur kapi dhëndrin e tij duke u konfliktuar fizikisht me persona të tjerë. Sipas tij, sherri kishte ndodhur për konflikte banale ku ishin të përfshira edhe disa vajza.

“Unë e kam kapur vetë para 10 viteve, kam kapur K. (bashkëshortin e vajzës), e kam kapur te KMY te lokali, e kemi kapur, edhe baba i vetë, e kemi parë me goca, lidhje jashtë martese. Kur kam shkuar unë, e kam gjetur të çarë këtu te nofulla, edhe kanë qenë 4 çuna duke u zënë për punë femrash. Kur e kam parë me gjak kështu, ju kam thënë policia, unë kam qenë punonjës policie. Ju kam thënë mos se policia këtu. Ata direkt e kanë lënë, edhe më tha mik më shpëtove, hallall ta bëftë Zoti. Po ç’na bërë kështu more dhëndër. Po ti je i martuar, a ke turp i thashë. A ke turp që zihesh për punë femrash. Ti je i martuar, ke fëmijë. Tha bëra gabim, po më fal. Edhe unë i thashë gocës, erdhi dhe i thashë për mua lere se ky nuk i heq huqet. Na ka marrë malli për nipërit, ju kanë bërë presion”, është shprehur Picari.

Nga ana tjetër edhe nga familja e Kudretit, ka pasur akuza për Dhuratën.

Vjehrra e 32-vjeçares, mbesa e burrit të saj, madje edhe 2 fëmijët e saj, e akuzojnë Dhurata Saliajn për tradhti bashkëshortore. Ata thonë se ka prova, ndërsa vetë Dhurata mohon çdo gjë të tillë dhe i konsideron sajesa e trillime.

Konflikti brenda familjes u tensionua akoma më shumë. Ndaj Dhuratës u bë një denoncim në polici, ku akuzohej se kishte ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijëve të saj dhe mbesës së burrit, si dhe të kishte kërcënuar vjehrrën.

Sot situata u përshkallëzua shumë më keq, duke çuar në fund tragjik./albeu.com

 

 

 

 


Shtuar 4.06.2021 13:31