Rritet me shpejtësi mbështetja për Hamasin në Bregun Perëndimor

Një organizatë palestineze e anketimeve thotë se mbështetja për Hamasin në Bregun Perëndimor që nga sulmi i 7 tetorit në Izrael u rrit me shpejtësi, nga 12 për qind në 44 për qind në dhjetor. Ekspertë dhe banorë palestinezë thanë se dhuna e Izraelit në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor po nxit këtë rritje të mbështetjes për grupet militante.

Fotografitë e adoleshentit Hamad Jibril Ramana, i cili u vra nga forcat izraelite në shtator, mund të shihen në muret e kampit të refugjatëve Am’ari në Bregun Perëndimor. Ato u shfaqën pas vrasjes së tij. Banorët e kampit thonë se Hamasi i vendosi këto fotografi për të fituar më shumë mbështetje në Bregun Perëndimor përmes shprehjes së simpatisë për adoleshentin e vrarë. Ai ishte mbështetës i fortë i Hamasit dhe sipas ushtrisë izraelite, u qëllua ndërsa po hidhte një shishe molotov në drejtim të tyre.

Babai i tij Jibril Abdul Rahman Mousa thotë se ndërsa ai po vuante nga dhimbja për djalin e vrarë, ushtria izraelite bastisi shtëpinë e tij dhe arrestoi djalin tjetër, Yahia, më 13 dhjetor.

“Dëgjova trokitjet në derë dhe kur hapa derën po prisja të shihja djalin tim Yahia, por në vend të tij ishin ushtarët izraelitë. Ata më goditën pasi nuk pranova t’u hapja rrugën pa parë njëherë djalin tim. Ushtari izraelit më kërcënoi se do të më qëllonte dhe pastaj më shtyu brenda shtëpisë”.

 

 

Ai thotë se ushtarët izraelitë ia morën pa asnjë shpjegim djalin, nga i cili ende nuk ka dëgjuar asgjë. Kur u pyetën mbi arsyet e arrestimit të tij, zyrtarët e ushtrisë izraelite thanë se për këtë çështje duhet pyetur shërbimi izraelit i zbulimit, i cili nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Që nga 7 tetori, autoritetet izraelite thonë se nuk ka tolerancë ndaj mbështetësve të terrorizmit. Disa palestinezë janë arrestuar për komente në mbështetje të grupeve militante në mediat sociale.

Shprehja e mbështetjes për grupet terroriste si Hamasi mund të çojë në burgosje pa gjyq për palestinezët. Por, për zotin Mousa kjo nuk ka më rëndësi sepse ai thotë se një nga djemtë e tij është vrarë dhe tjetri tashmë është burgosur. Ai flet hapur për mbështetjen e tij për grupet që po luftojnë kundër forcave izraelite.

Shumica e banorëve të tjerë në Bregun Perëndimor nuk flasin në mënyrë kaq të hapur, por, sipas një anketimi të Qendrës Palestineze për Politikat dhe Studimin e Anketimeve, mbështetja për Hamasin është rritur nga 12 për qind, që ishte para sulmit të 7 tetorit, në 42 për qind në dhjetor. Kjo tregon një rënie të mbështetjes për Autoritetin Palestinez, që ka pushtetin në Bregun Perëndimor.

Përfaqësues të mediave, analistë dhe banorë të Bregut Perëndimor gjithashtu thanë për Zërin e Amerikës se ka patur një rritje të madhe të mbështetjes për Hamasin.

Mbështetja në rritje për Hamasin është kryesisht rezultat i faktit se për herë të parë në një kohë të gjatë ka një ndryshim të status kuosë”, thotë Lior Betzalel Sternfeld nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë.

Shumë palestinezë thonë se Autoriteti Palestinez, i krijuar në vitin 1994 bazuar në Marrëveshjet e Oslos, që tani ka pushtetin në Bregun Perëndimor, nuk ka arritur të sjellë një zgjidhje të konfliktit dhe është bërë më autokratik. Sipas anketimit, 90 për qind e banorëve të Bregut Perëndimor tani thonë se Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas duhet të japë dorëheqjen.

“Shpresojmë që lufta në Gazë do të përfundojë dhe ne do të kemi zgjedhje për të ndryshuar udhëheqjen e Autoritetit Palestinez. Ka njerëz të mirë, por ata nuk janë të aktivizuar”, thotë Ashrafi, mbështetës i Autoritetit Palestinez.

Anketimi sugjeron se shumë njerëz tani favorizojnë Hamasin, që në njërin nga dokumentet themeluese bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe ka një qasje më militante për zgjidhjen e konfliktit në krahasim me veprimet e Autoritetit Palestinez, të cilat perceptohen si pasive.

Sipas anketimit, që nga 7 tetori, 70 për qind e palestinezëve të anketuar në Bregun Perëndimor thonë se ata tani mbështesin një luftë të armatosur kundër Izraelit.

“Dhuna e Izraelit ka bërë që njerëzit të mendojnë seriozisht rreth heqjes me forcë të pushtimit izraelit, që është e pamundur. Kështu që kjo ka bërë që shumë njerëz t’i bashkohen lëvizjeve, që bëjnë rezistencë të armatosur ndaj pushtimit izraelit, përfshirë Hamasin”, thotë Iyad Barghouti nga Rrjeti Arab për Tolerancë.

Militantë të armatosur të Hamasit, që Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e konsiderojnë organizatë terroriste, vranë mbi 1200 njerëz në një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke shkaktuar një reagim të fortë ushtarak nga Izraeli.


Shtuar 23.01.2024 17:48