Ish-portieri Sebastien Frey mendon se Interi ka shansin të nënshkruajë me Karim Benzema këtë muaj, duke e quajtur fituesin e Topit të Artë të vitit 2022 ‘një mundësi’ shumë të mirë për klubin italian.
Sulmuesi 36-vjeçar francez u largua nga Evropa për në Arabinë Saudite verën e kaluar, duke iu bashkuar Al-Ittihad me një kontratë fitimprurëse trevjeçare me vlerë deri në 200 milionë euro neto në sezon.
Ai e ka nisur mjaft mirë individualisht në Ligën Pro Saudite, duke shënuar nëntë gola dhe duke dhënë pesë asistime në 15 ndeshje.
Benzema thuhet se është bërë i pakënaqur me jetën në Al-Ittihad dhe dëshiron të largohet nga klubi këtë muaj, ku flitej për një kalim te Manchester United.
Duke folur për Calciomercato.com, ish portieri Frey diskutoi situatën e Benzemas dhe sugjeroi që ai mund të bënte kalimin te Interi këtë muaj.
“Benzema është në mosmarrëveshje me Arabinë Saudite, ai mund të jetë në treg që në janar. Kam lexuar dhe dëgjuar për Marottan, i cili nuk i ka thënë po ardhjes së tij, por as nuk e ka mohuar. Prioriteti është largimi i Sanchez, nëse ai largohet nga Interi, atëherë Benzema mund të jetë një mundësi”, deklaroi francezi.
Kontrata e Alexis Sanchez me Interin skadon në fund të këtij sezoni dhe për momentin ai ka refuzuar çdo interes nga Arabia Saudite.
Nëse gjërat ndryshojnë dhe sulmuesi kilian vendos të largohet në javët e ardhshme, Nerazzurrët mund të provojnë për Benzeman, megjithëse është e vështirë të imagjinohet se si mund të përballojnë pagën e tij. /Telegrafi/