Presidenti Biden ripropozon Kostelancik si ambasador në Shqipëri

Presidenti Biden ka riproipozuar David J. Kostelancik, për postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri.

“David J. Kostelancik, nga Illinois, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Klasa Ministër-Këshilltar, për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, propozimi i presidentit Biden.

Emërimi i diplomatit David J. Kostelancik për postin e Ambasadorit amerikan në Shqipëri, u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, pasi Senati gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e zotit Kostelancik dhe të dhjetra të emëruarve të tjerë. Emërimet e diplomatëve u bllokuan nga disa senatorë republikanë.

Kandidatura e zotit Kostelancik u kthye të mërkurën, 3 janar, në Shtëpinë e Bardhë, në bazë të një klauzole të rregullave të Senatit sipas së cilës “emërimet që as nuk janë konfirmuar, as nuk janë hedhur poshtë nga Senati në kohën kur mbyllet sesioni legjislativ”, i kthehen Presidentit.

“Nëse një emërim i kthehet Presidentit, ai nuk mund të shqyrtohet më nga Senati. Presidenti mund të paraqesë një emërim të ri për të njëjtin kandidat, ose për një kandidat të ri”, thuhej në rregullat e Senatit.

Me riemërimin e tij, procesi në senat do të fillojë nga e para, por komisioni përkatës që shqyrton kandidaturën ka kompetenca të gjera dhe mund ta thërrasë sërish për dëshmi ose jo.

/albeu.com


Shtuar 12.01.2024 18:59