Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takime të ndara me Kryesinë e partisë dhe me kolegjiumin e kryetarëve të degëve, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend.
Sipas njoftimit të kësaj partie, kryetari Krasniqi është shprehur se viti 2023 ishte “vit i humbur për Kosovën, i cili u karakterizua me degradim në arsim, kolaps në shëndetësi, stagnim ekonomik, shpopullim dhe migrim masiv, diplomaci të dështuar dhe me sanksione nga Bashkimi Evropian, si rezultat i keqqeverisjes dhe paaftësisë së Qeverisë Kurti”.
Kryesia e PDK-së ka diskutuar edhe për draft-statutin e Asociacionit, ku u tha se ky draft krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive.
“Kryetari Krasniqi ripërsëriti qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, krijon një nivel të ri të pushtetit dhe ka kompetenca ekzekutive”, vazhdon njoftimi.
Kryetari Krasniqi tha se Kosova ka nevojë për një Qeveri kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila, krahas punës për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, rikthen vendin në kursin e duhur të integrimit euro-atlantik.