Stivian Janku u prezantua si lojtari më i ri i Dinamos. Qendërmbrojtësi 26-vjeçar vendosi të mbyllte aventurën e tij me Egnatian, me të cilët u bashkua në verën e 2023-shit. Minutat e pakta të aktivizimit bënë që Janku të linte rrogozhinasit, për t’u bashkuar me Dinamon.
Vetë futbollisti në një prononcim të shkurtër të dhënë për “Newsport.al”, shprehet shumë i lumtur për këtë transferim tek dinamovitët duke thurur elozhe për emrin e klubit kryeqytetas.
“Dinamo është një ekip i madh, i cili është shumë vështirë të refuzohet, sepse e dimë mirë historinë e këtij klubi. E dimë që është një emër i madh për futbollin shqiptar. Kam patur edhe oferta të tjera. Por kur erdhi oferta nga Dinamo, nuk u mendova dy herë duke e zgjedhur këtë ekip me dëshirën e plotë.
Egnatia? I uroj suksese”, është shprehur shkurtimisht Janku. /newsport.al/