U la në burg, Xhemal Loka mohon akuzat: Më kanë kërcënuar njerëzit e Bedries, kemi pasur debate si çdo çift

Xhemal Loka, bashkëshorti i 41-vjeçares Bedrie Loka, në sallën e gjyqit ka mohuar akuzat se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij dhe se e ka shtyrë drejt vetëvrasjes. Ai ka pohuar se ka pasur zënka në çift si çdo familje, por jo deri në pika ekstreme. 45-vjeçari kërkoi një masë të butë duke argumentuar se ka 4 fëmijë në ngarkim.

‘Nuk jam dakord me akuzën e prokurorit. Më janë bërë kërcënime nga njerëzit e gruas. Lidhur me Tik-Tokun e kam falur gruan dhe ja kam thënë këtë. Më kanë marrë në telefon anonim në Greqi e më kanë kërcënuar. Nuk e di cili ka qenë. I kam thënë kur të dalësh nga shtëpia merr një nga fëmijët me vete.

Kam pasur debate me gruan si çdo çift, por jo konflikt që ajo të shkonte në masë ekstreme. Si mund ta bëj unë atë veprim kur ajo është nëna e 4 fëmijëve të mi. Vëllai i saj Mahmudi di gjithçka. Nuk di çtë them më. Jam bërë më vra veten. Më jepni një masë më të butë se kam 4 fëmijë në ngarkim”, ka deklaruar Xhemal Loka.

Prokurori i çështjes së vetëvrasjes së Bedrie Lokës ka deklaruar se ndalimi i bashkëshortit të saj, Xhemal Lokës, është i ligjshëm dhe kërkoi sot (8 janar) masën e sigurisë arrest me burg, pasi konsiderohet person me rrezikshmëri.

45-vjeçari Xhemal Loka u arrestua të shtunën pas hetimeve të para që nxorën në dritë se ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe në më shumë se një rast e ka kërcënuar me vdekje dhe në prani të fëmijëve.

Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Shkaktim i vetëvrasjes” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”, ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet as pista e vrasjes. Pas arrestimit Loka ka deklaruar se bashkëshortja u vetëvra për shkak se nuk përballoi bullizmin në rrjetin social TikTok.

Por dëshmitë e fëmijëve dhe pretendimet e familjarëve të viktimës, si dhe videot e gjetura në celularin e të arrestuarit konsiderohen prova për dhunën e vazhdueshme që ushtrohej ndaj 41-vjeçares, e cila përballej prej një viti dhe me thashethemnajën e nxitur kundër saj përmes shpërndarjes së fotove me fyerje në rrjetin social./albeu.com


Shtuar 8.01.2024 13:42