SPAK kërkoi përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi, rrëzohet kërkesa

Kërkesa e SPAK për përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi në gjykimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, është rrëzuar.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Miliana Muça, sot më 24.11.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 11 akti, datë 23.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi kërkesën me objekt “përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi nga shqyrtimi i çështjes gjyqësore penale me objekt ankim kundër vendimit penal nr. 410 akti, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për vendosjen e masës së sigurimit pasuror (sekuestro preventive), me ankues personi nën hetim J.M dhe shtetasen A.M”, dhe vendosi:

Të shpallë të papranueshme kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: “përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi nga shqyrtimi i çështjes gjyqësore penale me objekt ankim kundër vendimit penal nr. 410 akti, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për vendosjen e masës së sigurimit pasuror (sekuestro preventive), me ankues personi nën hetim J.M dhe shtetasen A.M”, njofton GJKKO.

SPAK kërkoi ditën e djeshme përjashtimin e gjyqtares Ilirjana Olldashit me argumentin e konfliktit të interesit.

Jamarber Malltezit i janë sekuestruar 25 pasuri, ndër to apartamente, një vilë , 6 llogari bankare dhe aksione në kompani.

Sipas shortit të datës së djeshme, kërkesën për përjashtim e shyrtoi gjyqtarja Miliana Muca.

Pak ditë më parë, e njëjta gjyqtare vendosi të nxirrte nga qelia Malltezin, duke i caktuar masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi”./albeu.com


Shtuar 24.11.2023 10:55