Të studiosh në SHBA dhe të bësh biznes në Shqipëri

Jeta përtej oqeanit dhe investimet në turizëm : I riu shqiptar rrëfen rrugëtimin e tij

Viti që po mbyllim për industrinë e turizmit në vend, ka rezultuar me një bilanc që pak kush e kishte menduar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj për 8 muajt e parë të 2023, arritën në gati 7.2 milionë persona (7,190,410), me një rritje prej 26.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke bërë kështu të konsiderohet si një ndër vitet më të mira të turizmit shqiptar. Jehona ndërkombëtare e asaj që ofrohet tek ne, shpesh herë edhe duke ekzagjeruar krahasimet me Ishujt Maldive apo destinacione të tjera ekzotike, bëri që kërkesa të ishte e paimagjnueshme. Po sa gati ishte Shqipëria për të pritur një fluks të tillë? Ndërtimi i hoteleve po reja po ndodh kudo, bujtinat dhe pikat agroturistike po shtohen në cdo cep të vendit, por edhe shëndrrimi i apartamenteve me qera ditore në platformat onlinë, është kthyer një biznes me të ardhura të konsiderueshme.

Aleks Abedini është një nga të rinjtë e shumtë që ka zgjedhur të investojë në këtë industri, edhe pse ndodhet mijëra km larg Shqipërisë, kjo nuk e ka penguar aspak të drejtoj me sukses sipërmarrjen e tij turistike të cilën e ka quajtur “Bee Suites”. Natyrisht në ditët e sotme teknologjia ka përparuar me ritme të larta dhe ka mundësuar që me vetëm një kompjtuer dhe internet, mund të menaxhosh nga cdo dep i globit. Me një eksperiencë disa vjecare në turizëm Aleksi tregon se si erdhi ideja për të investuar në turizëm dhe pse largimi drejt SHBA-ve për studime nuk e pengon aspak në biznesin e tij, përkundrazi me njohuritë që po merr atje, shume shpejt do të vijë koha që ti aplikojë sapo të kthehet në Tiranë.

Fillimet e para

Përfshirja në këtë industri erdhi shumë natyrshëm tregon me jo pak nostalgji. Që në fëmijëri bisedat mbi turizmin dhe të huajt kanë qenë të shpeshta në familjen e tij. Babai ka ushtruar më parë profesionin e guidës turistike dhe jo në pak raste edhe ai ka patur mundësinë të takonte vizitorët e huaj që kalonin në Tepelenë, sidomos në pjesën Vjosës dhe për t’u njohur me historinë magjepsëse të Ali Pashës. Më vonë erdhi koha e studimeve dhe megjithëse vazhdoi studimet e larta për Gjeologji, motivi kryesor ishte shpërngulja në Tiranë. E menjehërë angazhimi i tij ishte në një kompani turistike dhe duke punuar si guidë pati mundësinë të eksploronte vendin nga veriu në jug.

Turizëm nga distanca

Me rritjen e tij profesionale, po ndodhte paralelisht edhe rritja e fluksit të turistëve të huaj që zgjidhnin Shqipërinë si destinacion. Kontakti nga afër me ta, i dha mundësinë Aleksit të kuptontë më mirë nevojat e tyre dhe cfarë kishin më shumë interes. E për këtë arsye bashkë me një shokun e tij, Frankon, gjatë mbrëmjeve të gjata të gushtit, ku sapo kishin lënë në hotel, grupin turistik që shoqëronin, hodhën idenë që ta kalonin në një tjetër stad përfshirjen në turizëm, duke tentuar një sipërmarrje të tyren. E kështu morën apartamentin e parë në Tiranë duke e kthyer në një akomodim ditor nëpërmjet Airbnb-së dhe Booking. Po ndryshe nga ato mijërë të tjerë që kishin bërë një gjë të tillë më përpara, shifrat tregojnë se aktualisht në këto platforma operojnë 24, 902 apartamente/banesa, Aleksi tregon që donin të ofronin një përvojë turistike, dhe jo vetëm një vend për të kaluar natën. E kështu duke ndërthurur eksperiencën si guidë, ata përcjellin tek të huajt jo vetëm informacion turistik, por edhe ofrojnë mundësinë që turistët të zgjedhin ture të ndryshme për të kaluar kohën e tyre të qëndrimit. Aktualisht janë ndalur tek numri i 5 apartamenteve që ndodhen rreth qendrës së Tiranës e ku secili ka emrin e një lule. Më vonë duke parë edhe zhvillimet që po ndodhin, shpresojnë të realizojnë një “buqetë” të madhe lulesh, e ku bletët mos të jenë të kufizuara vetëm në kryeqytet.

Jeta në SHBA dhe planet e rikthimit

Prej dy vitesh jeton dhe studion për Marketing Biznesi në Çikago të SHBA-së. Operimi i biznesit nga përtej oqeanit përvec të ardhurave që sjell, ka bërë të mundur që të vazhdojë të jetë i lidhur fort me zhvillimet aktuale në Shqipëri. Duke qeshur tregon fillimi se studimeve ishte pak i vështirë, sepse ne mendojmë që i dimë të gjitha, por kur vjen në një realitet të ri kupton që sa shumë kemi për të mësuar, kuptuar dhe cështë më e rëndësishmja përvetsuar. Turizmi është një industri që evolvon me kohën dhe duhet gjithmonë të jesh në të njejtin stad të zhvillimeve nëqoftëse dëshiron që të kesh sukses.- “Po më shërben jashtëzakonisht shumë si ekspereriencë dhe jam lumtur i lumtur që vendosa të bëj këtë gjë. Jam i bindur që kurdo që të kthehem, do të kem me vetë një prespektive komplet tjetër mbi të bërit biznes dhe marketing.” /albeu.com/


Shtuar 17.11.2023 10:54