“Lajmin e morëm vesh nga interneti”, Anila vdiq pasi makineria i shtypi kokën, familja kërkon drejtësi

Familja e Anila Grishajt, 26-vjeçares shqiptare që humbi jetën tragjikisht në Itali kërkon drejtësi.

Ata shprehen të tronditur nga ngjarja dhe shprehen se askush nuk i lajmëroi, por lajmin për vdekjen e Anilës e mësuan nga interneti.

“Ne ishim të fundit që e morëm vesh, është turp, duhet të ishim të parët. Për dy orë nuk na thanë asgjë, e morëm vesh nga faqet e internetit”, u shpreh motra e madhe e viktimës.

“Duam drejtësi, duhet të na japin shpjegime!”, thotë një kushëri i viktimës.

Dyshohet se një koleg i Anilës ka ndezur gabimisht makinerinë e cila e goditi Anilën në kokë.

Grishaj raportohet se ishte nëndrejtoreshë e kompanisë dhe po monitoronte funksionimin e një makinerie që mbërriti në kompani pesë muaj më parë, e cila mbështjell produktet e gatshme me celofan për transport.

Dyshohet se ajo i ishte afruar paletës për të kontrolluar dhe në atë moment një punëtor tjetër, i cili nuk e pa viktimën që ndodhej tek makineria, e rindezi atë.

Në momentin që makineria u ndez i goditi kokën viktimës, duke i shtypur rruazat e qafës. Prokurorja e çështjes, Françeska Torri, ka nisur hetimet për vrasje nga pakujdesia ndaj kolegut të saj që ndodhet në gjendje shoku.

Anila ishte fejuar me një djalë nga Susegana ata po mendonin për një jetë së bashku, por ajo ëndërr u ndërpre në mes.

“Thanë se ishte një nga makineritë më të sigurta, kushtonte miliona. Ata duhet të na tregojnë pse ajo vdiq duke bërë punën e saj. Aty ndihej mirë, kishte një rol të mirë. Ne duam që drejtësia të vendoset”, tha një kushëri i saj.

 


Shtuar 16.11.2023 11:48