“Pep do të ketë të njëjtin fat si Benfica e mallkuar nga Bela Gutman”, menaxheri i Toure sulmon Guardiolan dhe tregon historinë

Nuk është e vërtetë, por i besoj. Është kjo historia e menaxherit të Jaja Turesë, i cili e kërcënoi Guardiolën: “Pep do të ketë të njëjtin fat si Benfika e mallkuar nga Bela Gutman në finalet europiane. Shtriganët e kontinentit afrikan nuk do t’ia falin Guardiolës faktin që ishte pikërisht ai që ia mbylli përpara kohe karrierën Jajasë”.

Shprehej kështu disa kohë më parë Dimitri Seluk, në një intervistë për televizionin rus “Sport 24” dhe, me sa duket, profecia rezistoi në finalen e parë, pas vitit 2011 që Pep Guardiola fitonte me Barcelonën. Çelsi në Porto mundi Mançester Sitin e spanjollit dhe tani frika se ky mallkim ndaj Guardiolës mund të jetë gatuar në Afrikë, konkretisht në Bregun e Fildishtë ku ka lindur ish-mesfushori Jaja Ture, mund të jetë i vërtetë.

Mallkimi i Bela Gutmanit ndaj Benfikës reziston që nga viti 1962, ku pasi klubi i mohoi premion ekonomike të premtuar trajnerit ai mallkoi: “Pas meje, Benfika nuk do të fitojë më në Europë për të paktën 100 vitet e ardhshme”. Dhe kjo frazë e lëshuar në tension e sipër është konfirmuar jo pak, por në 8 finale radhazi që “Shqiponjat” kanë humbur. Pikërisht të njëjtën gjë kishte vendosur të bënte edhe menaxheri rus i Turesë, i cili vazhdonte:

“Kur sulmon një kampion si Jaja Ture, ke sulmuar të gjithë kontinentin afrikan. Fakti që ai ia frenoi pa asnjë arsye karrierën klientit tim te Siti nuk ishte një gabim, por një krim. Gjithsesi, do ta shihni, Guardiolës ky vendim do t’i kthehet si një bumerang dhe shumë shpejt do ta provojë në lëkurë se çfarë janë të aftë të bëjnë shtriganët afrikanë.

Mbajini mend mirë këto fjalë: Benfika sot vuan mallkimin e Bela Gutmanit që i ndalon të fitojë finale europiane premë shumë se gjysmëshekulli. Guardiola nga ana e tij mund të ketë para pa fund për të bërë merkaton që do, por unë jam i sigurt se ai edhe sikur të vazhdojë në përjetësi të stërvisë, do të rrijë pa fituar edhe më shumë sesa 100 vitet e Benfikës”. Dhe raundi i parë i shkon ish-agjentit të Jaja Turesë.


Shtuar 31.05.2021 17:56