Komisioni Evropian u propozoi të hënën të gjitha vendeve të BE-së që gradualisht të lehtësojnë masat e udhëtimit gjatë verës teksa numri i vaksinimeve COVID-19 vijon të rritet dhe situata e pandemisë Covid-19 është nën kontroll.
Komisioni tha se propozimi i tij është që njerëzit plotësisht të vaksinuar duhet të përjashtohen nga testimi ose karantina kur udhëtojnë nga një vend i BE-së në një tjetër.
BE arriti një marrëveshje në fillim të këtij muaji për certifikatat COVID-19 që do të tregojë, përmes një kodi QR, nëse një person është i vaksinuar, është shëruar nga Covid-19 , apo dhe nëse ka kryer një test për Covid-19. Skema duhet të jetë gati deri më 1 korrik.
Ndërkohë Komisioneri për Drejtësi, Didier Reinders, ka prezantuar propozimet e masave të reja, sipas së cilave personat të cilët do të kenë certifikatën digjitale COVID-19, përmes së cilës dëshmojnë se kanë marrë dozën e fundit të vaksinës kundër COVID-19, nuk duhet t’u nënshtrohen asnjë mase kufizuese.
E njëjta e drejtë do të duhet të vlejë edhe për personat të cilët dëshmojnë se e kanë kaluar Covid-19 ose të miturit që udhëtojnë në shoqërinë e personave që gëzojnë këto mundësi. Për të tjerët, Komisioni Evropian ka propozuar që masat të zbatohen në varësi të vendeve nga udhëtojnë. Për ata të cilët arrijnë nga zonat e gjelbra nuk do të ketë asnjë masë kufizuese. Për ata që arrijnë nga zona portokalli do të kërkohet vetëm testi negativ, por jo karantina. Për ata që arrijnë nga zonat e kuqe e lehtë, do të kërkohet karantinë deri në momentin që do të ketë një test negativ.
Vetëm për qytetarët që udhëtojnë nga vende që kanë një situatë të rëndë epidemiologjike, do të kërkohet testimi dhe karantina. Komisioni gjithashtu ka propozuar që testet PCR të pranohen me afat prej 78 orësh, ndërsa testet e shpejta antigjen të jenë të vlefshëm për 48 orë.