Zyrtari i Hamasit flet për sulmin ndaj Izraelit: Ne po përgatiteshim prej 3 vitesh

“Ne po përgatiteshim për dy, ndoshta edhe tre vjet. Në nivele të ndryshme. Jemi të rrethuar, nuk mund të plotësojmë nevojat tona, por megjithatë udhëheqja ushtarake përgatiti planet dhe informacionin se si funksionon armiku, ku ndodhen repartet ushtarake.”

Këtë zbulim e ka bërë kreu i Hamasit, Basim Naim, kreu i Këshillit Politik të organizatës, përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare, duke folur në emisionin “Arena” në ANT1.

Basim Naim e quajti sulmin e 7 tetorit një “akt mbrojtjeje” dhe për herë të parë emërtoi vendet që ndihmojnë organizatën terroriste: “Ne kërkojmë mbështetje nga kushdo. Kjo ndihmë mund të jetë financiare. Për shembull ne marrim shumë mbështetje financiare nga Katari. Mbështetje diplomatike dhe politike nga Rusia dhe Kina. Ne marrim mbështetje ushtarake dhe trajnime nga Irani. Ndihma humanitare nga Egjipti. Varet se kush dëshiron të ndihmojë. Nëse dikush dëshiron të ndihmojë financiarisht, është i mirëpritur. Edhe politikisht, apo diplomatik apo ushtarak, ai është i mirëpritur ”, theksoi ai, raporton protothema.gr.

Duke folur për civilët e vrarë, zyrtari i Hamasit tha: “Komandanti ynë ushtarak u ka dhënë një urdhër të qartë luftëtarëve që të mos sulmojnë civilët, të mos sulmojnë gratë apo fëmijët dhe të merren me ta në mënyrë inteligjente dhe morale dhe kjo ishte bërë. Izraeli flet për prerjen e kokës së foshnjave, përdhunimin e grave, por deri më tani ata nuk mund të sjellin një provë të vetme të asaj që thonë.”

Ai shtoi megjithatë se “asnjë qytetar nuk është vrarë me dashje. Disa qytetarë u gjendën në mes të dy palëve”.

Megjithatë, ai pranoi sërish se pengjet që Hamasi i ka në dorë, do t’i mbajë “që të mund të ketë shkëmbim me të burgosurit. Ne kemi më shumë se 5800 të burgosur në burgjet izraelite dhe disa prej tyre kanë qenë atje për më shumë se 40 vjet”./Albeu.com


Shtuar 26.10.2023 10:33