Rama dënon sulmin me bombë në Ankara: Evropa të mbështesë Turqinë në luftën kundër terrorizmit

Kryeministri Rama ka reaguar pas sulmit terrorist në Ankara, ku dy policë mbetën të plagosur, ndërsa njëri prej terroristëve humbi jetën.

Edi Rama: “Sulmi terrorist në Stamboll është një akt i neveritshëm dhe frikacak që Shqipëria e dënon ashpër. Ai duhet të ndihmojë Evropën që të kuptojë dhe mbështesë më mirë Turqinë në luftën e saj kundër terrorizmit.

Dy oficerë policie u plagosën lehtë kur dy terroristë të dielën në mëngjes shpërthyen një bombë përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë në kryeqytetin turk të Ankarasë, ku njëri prej tyre hodhi veten në erë, tha ministri i Brendshëm.

“Dy terroristë, të cilët kanë mbërritur me një automjet të lehtë komercial para portës së Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë, kanë kryer një sulm me bombë. Një nga terroristët hodhi veten në erë”, tha Ali Yerlikaya në X.

Yerlikaya tha se dy oficerë policie u plagosën lehtë në sulmin, i cili ndodhi në orën 9:30 të mëngjesit me orën lokale.

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar edhe para Ministrisë së Brendshme turke në zemër të Ankarasë në mëngjes.

Pas shpërthimit dhe të shtënave me armë zjarri pranë ndërtesës së ministrisë në Kizilay, qendra kryesore e qytetit në qarkun Cankaya të kryeqytetit, forcat e policisë morën siguri të shtuar në zonë.

Bulevardi kryesor Ataturk është mbyllur për qarkullim për shkak të shpërthimit pranë njërës prej portave të Asamblesë së Madhe Kombëtare.

Në vendngjarje është dërguar edhe policia e operacioneve speciale. Në vendngjarje ndodhen edhe njësitë zjarrfikëse dhe ekipet mjekësore.

Kuvendi i Madh Kombëtar do të hapet pasdite pas një pauze 3-mujore./Albeu.com

 


Shtuar 1.10.2023 11:54